Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Manlio Scopigno” dhe “Felice Pulici”, ish-sulmuesi i Interit dhe i Gjermanisë, Jürgen Klinsmann, foli për mediat italiane. Ai u shpreh i lumtur për të birin, Jonathan Klinsmann, i shpallur “Portieri më i mirë i Serie B”: “Është një nder për Jonathan, për familjen tonë dhe Cesena. Ka punuar shumë dhe ky është shpërblimi i tij”.
Për të ardhmen e djalit, tha: “Ai ndihet shumë mirë te Cesena, po rritet në një vend të shkëlqyer. Është në vëmendjen e kombëtares amerikane dhe ëndërron Botërorin me SHBA”.
Sa i përket Italisë, gjermani është optimist: “Sigurisht që do të kualifikohet, edhe pse me pak vuajtje si gjithmonë. Ky Botëror me 48 skuadra do të jetë shumë i vështirë, por Italia do të jetë aty”.
Ai shtoi se pret edhe Gjermaninë të kualifikohet, ndërsa për kampionatet nënvizoi: “Serie A mbetet e bukur, por Premier League është përpara për shkak të parave”./telesport/