Klubi i Mjallbit ka shkruar historinë sot në Suedi, duke u shpallur kampion jashtë çdo parashikimi të mundshëm, në një kampionat që e ka dominuar që nga fillimi.

Historia e pabesueshme e klubit ka arritur sot kulmin ne fitoren në fushën e Goteborgut, një prej ekipeve më me emër në Suedi, me Mjallbin që fitoi 2-0 dhe vulosi titullin kampion që në fakt pritej prej javësh pasi kishte krijuar diferencë të thellë me ndjekësit.

Kjo është një histori suksesi, pasi Mjallbi vetëm 7 vite më parë ishte në kategorinë e tretë dhe luftonte për mbijetesën, para se të niste ngjitjen e ngadaltë drejt kreut, me një buxhet shumë të vogël në krahasim me rivalët, pasi është skuadra që përfaqëson një fshat të vogël peshkatarësh, me më pak se 1500 banorë.

Ekipi është drejtuar nga trajneri Anders Torstenson, i cili përtej këtij klubi ka drejtuar shumë pak në karrierën e tij.

Ai kishte qenë futbollisti i Mjallbit, por pa arritur të luajë asnjë ndeshje me ekipin e parë.

Më pas kishte lënë futbollin dhe kishte kaluar 10 vite në ushtri, para se të kthehej në fshatin e Hallevik, ku u bë mësues dhe me kohë të pjesshme drejtoi ekipin e parë i cili u besua plotësisht vetëm në vitin 2023.