Skema aktuale e Kupës së Shqipërisë siç dihet favorizon dukshëm ekipet e Superiores që do ta nisin garën e tyre vetëm në muajin janar, ndërkohë që ekipet e kategorive të tjera jo vetëm që nuk janë të favorizuara me këtë skemë, por edhe shpenzojnë nga ana financiare duke e ditur se nuk mund të shkojnë larg në këtë kompeticion.

Pikërisht nisur nga kjo, presidenti i Basanias Ermir Shimaj në emër të klubit që drejton ka lëshuar një propozim për diskutim të cilin e ka bërë publik në faqen zyrtare. Ja çfarë shkruan ai:

Propozim për diskutim

A duhet ri’parë formula e kompeticionit “Kupa e Shqipërisë” ??!!

– Vitet ecin dhe paralelisht edhe zhvillimet duhet ti përshtaten kohes me qëllim mbështetjen dhe rritjen e sportit.

⁃ Me formulen ekzistuese, kompeticioni “Kupa e Shqipërisë” në turin paraeleminator dhe në turin e parë ku kryesisht garojnë skuadrat è Kategorisë së Dytë kundër skuadrave të Kategorisë së Parë gara është më shumë “barrë për tu hequr” nga skuadrat inferiore se sa garë reale.

⁃ Skuadrat pjesëmarrëse në Kupen e Shqipërisë që vijnë nga Kategoria e Dytë (veç nivelit sportiv dhe mundësive ekonomike më të ulta) janë të dis’avantazhuara edhe duke qënë të detyruara të luajnë si udhëtuese.

⁃ Duhet konsideruar, se për skuadrat e Kategorisë së parë (të pakten ato kryesuese të tabelës) mund të ekzistojë mundësia edhe e fitimit të Kupes së Shqipërisë e përmes këtij eventi të sigurojë edhe pjesmarrjen në kompeticionet europiane, gjë që është larg’mendsh të mendohet e njëjta gjë për skuadrat e Kategorisë së Dytë.

– Të mos harrojmë se për Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë është miratuar mbështetja me fonde nga FSHF plus bonuset e tjera nga e drejta televizive etj, gjë e cila nuk rezulton për Kategorinë e Dytë.

⁃ Prandaj mendoj se duhet ri’parë formula e Kupës së Shqipërisë, dhe si mënyrën më të mirë për ta kthyer në garë reale edhe turet e para të Kupes së Shqipërisë propozoj që pjesëmarrësit duhen stimuluar materialisht.

⁃ Për ilustrim logjik për çka thashë më lart po përdor “analogjinë” me kompeticionet europiane ku dihet se skuadrat e vogla pjesëmarrëse motivohen me shpërblimet që jepen nga UEFA e përmes këtij instrumenti gara bëhet e fortë për të kaluar sa më shumë ture e duke ndikuar edhe në rritjen sportive dhe ekonomike të këtyre skuadrave.

⁃ As që e mendoj që FSHF është në nivelet e mundësive ekonomike të UEFA-s por në miniaturë dhe në shifra normale mendoj se mundësitë janë dhe kështu gara në këto ture do ti kthehet “reales” dhe jo thjeshtë “barrë për tu hequr”.

P.S: Ky qëndrim/propozim vjen vetëm në të mirë sportit dhe nuk është personal nga unë si President i Basanias dhe as zbeh kënaqësinë pozitive të përjetuar në edicinonin e sivjetëm, sidomos në Korçë përballë Skënderbeut.