Tirana do të luajë nnë transfertë një nga ndeshjet më të rëndësishme të fazës së parë. Bardheblutë në “Loro Boriçi” do të sfidojnë Vllazninë. Klasikja e parë për këtë sezon do të luhet ditën e nesërme në orën 17:00 dhe që është e vlefshme për javën e 8-të të kampionatit.
Në prag të kësaj përballjeje ka folur Roberto Bordin. Ky i fundit prej ditësh ka zhvilluar përgatitje intensive me ekipin për të qenë sa më të gatshëm për duelin me shkodranët. Sigurisht synimi kryesorë i kryeqytetasve do të jetë rikthimi te fitorja në kampionat pas barazimit me Teutën.
“Jemi përgatitur shumë mirë, sigurisht kemi një ndeshje me ekipin e parë në klasifikim dhe do të jetë një ndeshje e vështirë, do të jetë ndeshje në shtëpi për ta dhe ka rëndësinë e saj edhe kundër të parëve në klasifikim, por kemi marrë një fitore dhe barazim dy ndeshjet e fundit dhe do të tentojmë të bëjmë një performancë shumë të mirë.
Duke parë performancën e ndeshjes së fundit janë pak mendime personale, por mendoj që morëm një barazim kundër një skuadre shumë të fortë, sigurisht Vllaznia është një ekip i fortë përderisa është edhe në vend të parë, do ta shikojmë tani se çfarë do të ndodh, ne sigurisht do të bëjmë maksimumin tonë për të marrë një rezultat sa më të mirë.
Jo nuk me shqetëson fakti që nuk krijuam një rast me Teutën pasi ishte një ndeshje shumë e vështirë kundër një skuadre të fortë që kishte një posedim të topit, çdo ndeshje duhet të vlerësohet për atë që është, siç e thash edhe pas Teutës, kundër Partizanit nuk patëm lojtarët më të mirë të botës, edhe pas asaj ndeshje ishim më të dobëtit, ishin komplet dy ndeshje të ndryshme nga njëra tjetra duhet të përmirësohemi dhe të jemi të gatshëm të përballemi me Vllazninë. Sigurisht kjo është skuadra ime dhe jam i lumtur për përmirësimin që kanë shfaqur, kam ardhur në një situatë të vështirë që të gjithë e dini, mundohemi dhe punojmë çdo ditë për ta çuar Tiranën lart në renditje.
Edhe kritikat i japin një moral të lartë skuadrës, jemi kundër të gjithëve, mundohemi të shkojmë përpara. Përveç Rafës të gjithë të tjerët janë të gatshëm. Presioni është gjithmonë prezent nuk është ndonjë gjë e re, nuk duhet të ndryshojmë sjellje, duhet të marrim më të mirën e çdo gjëjë për tu përmirësuar”, ka deklaruar timonieri i bardhebluve.