Shpeshherë e ka kritikuar dhe kuptohet me të drejtë sepse ecuria e saj nuk ka qenë ajo e duhura, ndërsa tani është momenti për të thënë disa fjalë të mira. E kemi fjalën për ish- sulmuesin e Vllaznisë Roland Luçi. Gjatë një lidhje me emisionin “Mega Sport”, ai e ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë mënyrën si po luan skuadra shkodrane këtë sezon dhe jo më kot e konsideron një pretendente të fortë për titullin kampion.
“Më së fundi, pas shumë e shumë vitesh me të vërtetë që jo vetëm unë por të gjithë shkodranët ndihen krenarë, madje jo vetëm ata por edhe të shqiptarët që e duan futbollin sepse Shkodra është promovuesja kryesore, aty ka lind futbolli, aty ka nisë historia e këtij sporti.
Për mua është një kënaqësi e madhe që Vllaznia kryeson dhe shpresoj e uroj që ta përfundojë kampionatin në këtë pozicion që është sot, megjithëse kampionati ka edhe të papriturat e tij kur gjërat mund të ndryshojnë, për më tepër që në fund është edhe ai “Final 4″, megjithëse me skemën e re ajo është përmirësuar sepse ekipi kryesues ka shumë premisa që ta mbylli edhe kampionatin në vendin e parë.
Unë kam parë disa ndeshje të Vllaznisë dhe më ka pëlqyer loja e saj, është më solide dhe kjo të bën të besosh se ajo do të jetë e suksesshme. Ekipi ka një frymë të re, hyn në fushë si e barabartë dhe e bindur se mund të fitojë me çdo kundërshtar dhe mendoj se vetëm Vllaznia e Egnatia do jenë në garë për titullin, nisur nga cilësia e tyre që kemi parë në fushën e lojës.
Dua të ndaj me ju diçka të veçantë. Kur unë isha trajner në Shkodër, e kam ofruar dhe i kam dhënë mbështetjen e duhur Bekim Balajt sepse më kujtonte veten time kur isha futbollist. Dhe më pas gjithçka i shkoi mirë si me kombëtaren dhe me ekipet e tjera ku ka luajtur ndërsa tani i uroj që ta mbylli karrierën si kampion me Vllazninë”- është shprehur Roland Luçi.(www.shkodrasport.com)







