Nga Gjergj KOLA

Nëse flasim për sport të suksesshëm në Shkodër në vitet ’80 dhe jo vetëm, sigurisht që ndër emrat e parë tek të cilët duhet të ndalemi është ai i mundjes. Një sport që na ka dhuruar shumë kampionë dhe emra të mëdhenj dhe njëri prej tyre që ka kontribuar në këto rezultate të larta është edhe Ali Anza.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse dita e sotme përkon me atë të përvjetorit të 68-të të lindjes së tij, por për fat të keq Alinë nuk e kemi mes nesh prej 24 vitesh, megjithatë ky është momenti i duhur për ta kujtuar sërish atë dhe karrierën e tij sportive.

Ali Anza ka lindur në Shkodër më 29 tetor 1957 dhe zgjedh të merret me sportin e mundjes që në moshë të vogël. Gradualisht futet në elitën e këtij sporti dhe në vitin 1975 do të kalonte tek ekipi i parë ku sukseset nuk do t’i mungojnë.

Do të shpallej disa herë kampion i Shqipërisë megjithatë rezultatin më të lartë do ta kishte në vitin 1983 kur në kampionatin e zhvilluar në Berat ai do të merrte edhe kupën si sportisti më i mirë i kampionatit. Ka qëndruar për shumë vite në elitën e këtij sporti, duke lënë një emër shumë të mirë tek të gjithë sportdashësit.

Është ndarë nga jeta në një moshë shumë të re, vetëm 44 vjeç, më 21 dhjetor 2001, por duke lënë pas një kujtim shumë të mirë. Nga ana tjetër ka lënë pas edhe një trashëgimi shumë të mirë në sportin e mundjes sepse i biri- Altini përpos karrierës si sportist, tashmë ësht trajner i ekipit të Vllaznisë.

Jo vetëm kaq, por nga familja Anza tashmë kemi edhe një tjetër kampion. Bëhet fjalë për Enesin, djalin e Altinit dhe nipin e Alisë, i cili vetëm pak ditë më parë u shpall kampion në mundjen klasike për grupmoshën U15 duke përçuar më tej një traditë familjare në këtë sport shumë të bukur.(www.shkodrasport.com)