✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Ka qenë një nga të ardhurit e merkatos verore në rradhët e Vllaznisë dhe menjëherë është shndërruar në një pikë të fortë të formacionit shkodran. Fjala është për Elmando Gjinin, mbrojtësin që është një titullar fiks i skuadrës së drejtuar nga Martini. E me plot gojën mund të cilësohet edhe si lideri i prapavijës së 9 herë kampionëve të vendit. 22-vjeçari ishte një “fiksim” i trajnerit Martini gjatë merkatos për ta afruar në Shkodër. E duket se besimi i 50-vjeçarit e po ashtu stafit dhe presidencës është shpërblyer nga ana e Gjinit.

Jo vetëm i fortë fizikisht, ku spikat me shtatlartësinë e tij, por edhe i aftë teknikisht e po ashtu i shpejtë për një qendër mbrojtës. Duke pasur parasysh edhe centimetrat e tij, ku futbollisti i rritur në Suedi i kalon 2 metrat. Tashmë me një eksperiencë me skuadra si Teuta dhe Ballkani, Gjini duket se ka fituar pjekurinë e duhur. E momentalisht po kalon një periudhë të shkëlqyer në aspektin personal, që shkon paralelisht edhe me rezultatet shumë pozitive të skuadrës shkodrane.

Në ndeshjen ndaj Dinamos, të fituar 1-0 nga ana e Vllaznisë falë një goli të Balajt, u shpall si njeriu i takimit. Ku arriti ndoshta shpesh edhe i vetëm të neutralizonte çdo sulm të kryeqytetasve. Madje duke nxjerrë jashtë loje edhe një sulmues të rrezikshëm siç është Guindo.

Një lider në mbrojtje për Vllazninë, që po mendon seriozisht ta afrojë përfundimisht në gjirin e saj numrin “92-të”. Pasi aktualisht kartoni i tij zotërohet nga klubi i Ballkanit në Kosovë dhe Gjini është i huazuar tek Vllaznia deri në përfundimin e edicionit 2025-26 të Superiores.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”