✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Prej më shumë se 6 sezonesh radhazi, Vllaznia është rikthyer të jetë në garë për vendet e para të renditjes në kampionatin shqiptar.martiniMe shkodranët që “vuajtën” për thuajse një dekadë, duke luftuar për mbijetesën e madje edhe duke u rrëzuar nga Superiorja në edicionin 2017-18. Por, kuqeblutë u ngritën shpejt dhe me ardhjen në krye të presidentit, Alban Xhaferri, klubi u rikthye të luftojë për titujt kampionë, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë historisë së tij të lavdishme.
E gjatë këtyre sezoneve të fundit, Vllaznia ka qenë një faktor i rëndësishëm i futbollit shqiptar. Ku kuqeblutë kanë fituar 2 herë kupën e Shqipërisë në sezonet 2020-21 dhe 2021- 22, duke rikthyer një trofe në Shkodër pas një “thatësire” 13-vjeçare. E ndërsa shkodranët po ashtu kanë qenë gjithmonë pretendentë për titullin kampion, ku në sezonet 2020-21 dhe atë 2024- 25 ishin nënkampionë të vendit. Duke qenë aq afër, por edhe aq larg triumfit final në fundin e të dy edicioneve.
Te Vllaznia pavarësisht investimeve të shumta, me lojtarë me peshë e trajnerë e drejtorë të njohur të afruar në vitet paraardhëse, ka munguar ajo “prekja” finale për të shkuar te titulli kampion. E këtë prekje e “sharm” në radhët e kuqebluve duket se këtë sezon e ka sjellë, Edi Martini. Djali i shtëpisë, një ndër talentet e fundit ndoshta të futbollit shkodran, i konsideruar nga shumë kush edhe si Maradona i Shqipërisë. Kjo për stilin e tij “ekstravagant” e plot klas të lojës, të cilin tifozët dhe ekspertët e futbollit e krahasonin me atë të legjendës argjentinase.
I rikthyer gjatë kësaj vere në krye të skuadrës së tij të zemrës, një rikthim pas 15 vitesh për Edin në Shkodër. E me detyrën e vështirë, por kurrë të pamundur për të, të dërgojë ekipin drejt titullit kampion. Dhe Edi (Martini) si një shkodran i vërtetë dhe fisnik i doli “zot” kësaj “pune”, në mënyrë që të rikthejë titullin e aq shumë dëshiruar në Shkodër. I cili për të qenë korrektë në shkrimet dhe kronikat tona, nuk po “trumpetohet” aspak me të madhe nga drejtuesit e klubit. Të cilët kanë vendosur të mbajnë një qetësi rreth skuadrës dhe mos fusin në trysin apo presion skuadrën. Politikë kjo e ndikuar nga vetë Martini, i cili ka vendosur të mbajë mbi shpatullat e tij çdo përgjegjësi, të jetë i gatshëm për çdo deklaratë, replikë apo kundër replikë, vetëm që të mbrojë skuadrën që drejton dhe që është e zemrës për të.
Besimi, karakteri dhe grinta që i kishte munguar Vllaznisë në këto vite ku ka qenë konkuruese, duket se përçohen mjaft mirë nga Martini. Dhe diçka të tillë e tregon edhe skuadra në fushë, që përveç futbollit kualitativ dhe argëtues, siç e luante dikur Martini, tregon edhe karakter e forcë, ashtu siç tregonte po ashtu Martini kur ishte futbollist. E ishte Edi Martini, njeriu që i mungonte Vllaznisë në këto vite, me kuqeblutë që ndoshta nuk arritën sukseset finale vetëm nga mungesa e besimit. Besim dhe bindje të cilin e ka absolutisht 50-vjeçari, kampion i vendit tonë në sezonin 2020-21 me skuadrën e Teutës si trajner.
E ndoshta i sulmuar më shumë seç duhet nga personazhe të futbollit dhe jo vetëm, për atë gjest emocional në fundin e ndeshjes ndaj Dinamos. Ndoshta disi i tepruar nga Martini, për vetë klasin dhe qytetarinë e finesën e tij, por që absolutisht jo dashakeqës. Por, një “shpërthim” emocionesh, në një duel direkt ndaj një kundërshtari për titull. E me presionin të cilin e ka marrë të gjithin mbi supet e tij edhe Martinit i “lejohet” ndonjëherë të kalojë limitet. Ashtu siç bënte edhe Maradona, e në fund të gjithë e toleronin sepse ishte Maradona. Edhe Martini është Martini, spektakolar, karizmatik, njeri i lindur për futboll dhe personazhi i duhur e që i mungonte Vllaznisë gjatë këtyre viteve.







