Me përbërjen aktuale të futbollistëve që ka të federuar për sezonin 2025-26 të Superiores, Vllaznia kap një shifër të vlerës së futbollistëve prej 5.25 milionë eurosh sipas “Transfermarkt”. Kështu 9 herë kampionët e vendit janë në mesin e skuadra me më shumë vlerë të kampionatit, me disa futbollistë të shkodranëve që janë edhe ndër më të shtrenjtët në mbarë Superioren. Po sipas kësaj faqeje, futbollisti më i shtrenjtë në radhët e 9 herë kampionëve të vendit është Sherif Kallaku.

Me fushëkrujasin si cili kap vlerën e 700 mijë eurove në merkato, duke qenë kështu futbollisti i dytë më i shtrenjtë në Superioren e këtij sezoni. Ku para tij qëndron vetëm Rouan Human, i afruar së fundmi te Partizani dhe që vlerësohet me 850 mijë euro në treg. Pas Kallakut gati me gjysmën e vlerës së ish-fantazistit të Teutës për nga vlera e kartonit te Vllaznia vjen Esat Mala. Prizrenasi kap një vlerë prej 400 mijë eurosh në merkato, duke qenë kështu futbollisti i dytë më i shtrenjtë tek kuqeblutë.

Aron Jukaj, Jasmin Çelikoviç dhe Aleksander Kuros mbyllin podiumin e futbollistëve më të shtrenjtë te Vllaznia, me dyshen që vlerësohen me 300 mijë euro në treg. Përshtypje bën vlera vetëm prej 200 mijë eurosh që vlerësohet Kastrati, me një futbollist që më parë në treg kishte shifrën e 2 milionë eurove. Dhe që tek kuqeblutë kërkon pikërisht të rikthehet në nivelet e larta që ka pasur dikur. Në total Vllaznia është ekipi i katërt më i shtrenjtë i Superiores këtë sezon, ku para shkodranëve në vlerën e 6.63 milionë eurove qëndron Partizani, Flamurtari me një vlerë prej 6.28 milionë eurosh dhe Dinamo me 5.85 milionë euro vlerë të futbollistëve të saj.

FORMA DYSHES – Ishte ndoshta një nga futbollistët më të spikatur jo vetëm tek Vllaznia, por në mbarë kampionatin në 5-6 javët e para të edicionit. Fjala është për Edon Muratajn, i cili pavarësisht se u mendua vetëm si një alternativë fillimisht në radhët e kuqebluve bëri që të ndryshonin mendje shumë veta. Ku me performancat e tij në fushën e lojës bindi totalisht, duke qenë një nga futbollistët kryesorë të kuqebluve.

I cili me klasin dhe finesën e tij arrinte të bënte diferencën në mesfushë për skuadrën e Martinit. Një dëmtim para ndeshjes me Elbasanin në javën e 6-të të kampionatit, duket se ia uli shumë ritmin 23-vjeçarit. I cili që nga ndeshja me verdheblutë ende nuk ka gjetur formën e duhur fizike, duke mos shfaqur të njëjtin nivel si në fillimin e edicionit. Ku edhe në duelet me Egnatian dhe Dinamon së fundmi, ku u paraqit edhe si titullar, fantazisti nuk arriti dot të bënte diferencën.

E kjo patjetër ka tërhequr vëmendjen e tifozëve apo ekspertëve, të cilët presin një nivel të lartë nga ana e numrit “11”-të. Megjithatë nga futbollistë mesfushorë me tipare sulmuse, probleme fizike në javët e fundit ka shfaqur edhe Sherif Kallaku. Edhe fushëkrujasi nuk gëzon 100% të ritmit, duke mos qenë i aftë të shpalosë gjithë potencialin e tij në fushën e blertë. Tek Vllaznia shpresojnë dhe do të punojnë që gjatë këtyre ditëve, dyshja ta kalojë momentin e “vështirë”, në mënyrë që të kthehen sa më shpejt në nivelin e duhur. Kjo pasi të dy futbollistët konsiderohen pjesë e rëndësishme e formacionit kuqeblu dhe dy futbollistë tek të cilët besohet shumë dhe që mund të bëjnë diferencën në çdo moment të lojës.