✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Partizani-Vllaznia, dueli i javës së 12-të të Superiores për sezonin 2025-26, si rëndomë në kampionatin tonë do jetë një sfidë që do ketë disa “ish-ë” në fushë. Kështu në rradhët e kuqebluve, futbollisti më i rëndësishëm që në të shkuarën ka luajtur me Partizanin është Esat Mala. Me mesfushorin nga Prizreni i cili për 5 sezone ka qenë pjesë e “demave”, madje duke fituar edhe titullin kampion me të kuqtë në edicionin 2018-19.
Një kontribut të vlefshëm në karrierën e tij për Partizanin ka dhënë edhe Esin Hakaj. Ku mbrojtësi shkodran është aktivizuar në dy periudha të ndryshme tek kryeqytetasit, në sezonin 2016-17 dhe ato 2019-20 dhe 2020-21. Po ashtu futbollistë si Sherif Kallaku apo Ensar Tafili, që sot luajnë në rradhët e shkodranëve, në karrierën e tyre janë aktivizuar edhe tek Partizani. Por, pa mundur dot të lënë gjurmë të mëdha në rradhët e 17 herë kampionëve të vendit tonë.
Nga ana tjetër tek Partizani janë dy futbollistë që në të shkuarën kanë qenë pjesë e Vllaznisë. Padyshim më i njohuri është Viktor Da Silva, ku fantazisti brazilian u bë i njohur në vendin tonë pikërisht nga aktivizimi i tij me shkodranët.
Teksa një “ish” mund të konsiderohet edhe Nebik Qokthi, sulmuesi ri shkodran i Partizanit, që ka qenë për disa vite pjesë e akademisë kuqeblu. E ndërsa një shkodran si Marcelino Preka po ashtu do jetë përballë skuadrës se vendlindjes, pavarësisht se duhet theksuar se mbrojtësi nuk ka luajtur kurrë me Vllazninë dhe nuk është një prodhim i akademisë së shkodranëve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







