Politikat financiare të Barcelonës kanë kthyer ndeshjet e skuadrës në fjalë një “makth” të vërtetë për tifozët, të cilët për të asistuar në “Camp Nou” duhet të paguajnë nga 420 euro (kategoria “Gol stands”) deri në 1000 euro (tribunë). Me këto standarde Barça pozicionohet mes skuadrave më të “shtrenjta” për tifozët që duan ta ndjekin nga afër.
Politikat financiare të klubit janë mjaft të shtrenjta edhe për anëtarët. Për të rriturit anëtarësimi kushton 225 euro ndërsa të miturit për këtë “status” duhet të paguajnë 112 euro. Kjo shifër për futbollistët e akademisë është 53 euro.
Krahasuar me klubet spanjolle Barcelonën e kalon Real Madrid, i cili shet për 3000 euro një biletë në vendet premium. Ndërsa Atletico de Madrid shet biletat e saj më të mira për 1650 euro.
Krahasuar me klubet e Premier League, skuadrat spanjolle arkëtojnë shifra të mëdha. Arsenal, Chelsea, Tottenham apo dhe Liverpool për të abonuarit e tyre përfitojnë maksimumi 700-800 euro. Ndërsa në Gjermani stadiumet janë më të aksesueshme. Borussia e Dortmund për tifozët e saj ofron abonime duke nisur nga shifra si 260 euro.







