Boksieri shqiptar Nelson Hysa vijon të bëjë përpara në karrierë, pasi për muajin nëntor e gjen veten në pozicionin e shtatë në renditjen botërore për WBO (World Boxing Organization) dhe në pozitën e katërt për kategorinë WBA. Hysa garon për peshat e rënda dhe ia ka dalë që në 24 përballje në ring të fitojë po kaq ndeshje, duke qenë i pamposhtur.

“Çfarë suksesi dhe surprize e madhe! Sakrificat e shumta po kthehen në rezultate: sot renditem #4 në botë në WBA dhe #7 në botë në WBO! Jam shumë krenar që po përfaqësoj Shqipërinë dhe që çdo grusht, çdo stërvitje dhe çdo ndeshje ka kuptim. Faleminderit Zotit për këtë bekim! Faleminderit të gjithëve që më mbështesni çdo ditë, kjo energji dhe përkrahje më bën të luftoj edhe më fort!”, shkruan Hysa.

Ndeshjen e fundit më 10 tetor, Nelson Hysa mposhti në Tiranë kroatin Abel Pesut, duke fituar kështu pikë të rëndësishme në renditjen botërore.