✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA

Gjeografia e futbollistëve me origjinë nga Shkodra dhe Shqipëria të cilët po spikasin me ekipet e tyre jashtë vendit, po zgjerohet çdo ditë e më shumë. Janë fëmijët e atyre që kanë emigruar vite më parë të cilët tashmë janë rritur dhe duan ta thonë fjalën e tyre përmes futbollit.

Njëri prej tyre, për të cilin po shkruajmë sot është Emanuel Lacinej. Ai është me origjinë nga fshati Melgush dhe është pjesë e ekipit Jolly Montemurlo në zonën e Toskanës në Itali. I datëlindjes 3 janar 2011, Emanueli luan në rolin e qendërmbrojtësit dhe ka një shtatëlartësi për t’u admiruar: 1.90 metra i gjatë.

Ai jo vetëm është titullar i padiskutueshëm me skuadrën e tij duke e bërë si duhet detyrën në repartin difensiv, por nga ana tjetër, falë edhe shtatëlartësisë së tij shfaqet shpeshherë edhe në zonat kundërshtare dhe ka arritur të shënojë deri tani edhe 2 gola.

Pikërisht nisur nga këto paraqitje të mira, përgjatë gjithë javës së kaluar, 14 vjeçari Lacinej është stërvitur tek Akademia e Empolit. Drejtuesit e kësaj të fundit e kanë ndjekur prej kohësh futbollisti me origjinë nga Shqipëria dhe si rrjedhojë kanë dashur ta shohin edhe nga afër në stërvitje, me idenë për të patur pjesë të tyre në janar ose në qershorin e vitit të ardhshëm.

Cila është karriera e deritanishme e Emanuelit?

Ai ka lindur në Prato dhe jeton bashkë me familjen e tij në Agliana- Pistoia (Rajoni Toscana dhe aktualisht ndjek studimet për administrim, financë dhe marketing. Prindërit kanë 30 vite që jetojnë në Itali dhe që në moshë të vogël duke parë edhe dëshirën e të birit për t’u marrë me futboll, e kanë rregjistuar që në moshën 5 vjeç e gjysëm (viti 2016) tek një ekip futbolli.

Ekipi i parë i Emuanuelit ka qenë Aglianese, me të cilin luajti për katër vite me rradhë. Në vitin 2020 do të kalonte tek “Maliseti Seano” me të cilin luajti dy vjet. Në vitin 2023 e kontaktuan nga skuadra Pisa, me të cilën luajti për një vit dhe më 2024 pas një ndeshje ku luajti duke përfaqësuar Rajonin e Toskanës, e telefonuan dhe e bënë më pas pjesë të ekipit “Zenith Prato”.

Ndërkohë këtë sezon është bërë pjesë e ekipit “Jolly Montemurlo” ku po spikat me paraqitjet e tij. Fakti që javën e kaluar ai ishte në stërvitje me Empolin, tregon se po bën mirë aty dhe me shumë mundësi do ta shohim duke i ngjitur shkallët e karrierës sepse talentin e ka dhe me siguri që ekipet cilësore do të dinë ta “rrëmbejnë” atë dhe ta bëjnë pjesë të tyre.


Ëndrra për kombëtaren

Pavarësisht se ka lindur në Itali, Emanuel Lacinej është rritur dhe brumosur nga familja me dashurinë për vendin e tij dhe kjo padyshim që reflektohet lehtësisht tek ai. Për këtë arsye, vetë 14 vjeçari ka një ëndërr të madhe: Të veshë fanellën e kombëtares shqiptare.

Fillimisht kuptohet atë të ekipeve të moshave dhe gradualisht për të mbërritur deri tek ekipi i të rriturve. Dëshirën për të veshur fanellën kuqezi ia ka shtuar edhe më shumë shoku i klasës, shkodrani tjetër Kevin Plepi. Ai prej vitesh është në të njëjtën klasë me Emanuelin sepse janë të një datëlindje dhe jetojnë në të njëjtën zonë. I ndajnë vetëm ekipet ku luajnë sepse Kevin është pjesë e Akademisë së Fiorentinës.

Ndërkohë Plepi është thirrur kohët e fundit nga kombëtarja U15 e Shqipërisë me të cilën ka luajtur edhe ndeshjet e para dhe madje edhe duke shënuar gol. Dhe me t’u kthyer në Itali, ai ia ka shprehur shokut të tij- Emanuelit, emocionet e veshjes së fanellës kuqezi të kombëtares shqiptare.

Dhe kjo ka bërë që Lacinej të ketë tashmë një dëshirë edhe më të madhe për ta provuar edhe ai këtë ndjesi, duke shpresuar se përfaqësuesit e FSHF do të kujtohen për t’i bërë edhe atij një ftesë. Gjithsesi, karriera e tij është në fillim dhe me siguri që rrugës do të ketë shumë zhvillime.

E rëndësishme është që Emanueli i ka të gjitha të dhënat dhe premisat për t’u bërë një lojtar cilësor. Po ashtu, ai ka edhe mbështetjen shumë të madhe të dy prindërve të tij, Kastriotit dhe Almës dhe me pak fat, por edhe mbështetje mund ta shohim pas pak vitesh duke luajtur në nivele të larta.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”