Ndonëse ende nuk është mbyllur gjysma e kampionatit, ka një tjetër trajner që largohet nga drejtimi i një skuadre në futbollin shqiptar. Bëhet fjalë për Bledar Devollin. Mediat bëjnë të ditur se ai ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës së Kukësit.
Një vendim i tillë është marrë mesa duket nga momenti i vështirë që po kalon kjo skuadër. Dhe sikur të mos mjaftonte kriza e rezultateve, po përjeton edhe një krizë në nivel drejtues.
Bledar Devolli, i cili ishte afruar në klub me shpresën për të ndryshuar fatin e këtij sezoni, ka dhënë sot dorëheqjen nga verilindorët, si pasojë e rezultateve të dobëta dhe pamundësisë për të ndryshuar këtë trend të ekipit.
Kukësi gjendet në vendin e fundit në renditje me vetëm 5 pikë pas 12 javësh në Kategorinë e Parë, me humbjen 2-0 ndaj Apolonisë që ishte e katërta radhazi në kampionat për verilindorët. Devolli kishte marrë drejtimin e skuadrës pas largimit të trajnerit Sedat Pajaziti në muajin tetor.







