✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Konfirmi se ndeshja me Vorën, e vlefshme për javën e 14-të të Superiores do luhet në shtëpi, duket se ka motivuar akoma më shumë skuadrën e Vllaznisë për t’u rikthyer tek fitorja. Dueli ishte parashikuar të luhej në transfertë për kuqeblutë sipas kalendarit, por për shkak se ekipi i Vorës nuk ka një fushë të përshtatshme për të luajtur duelet e Superiores është vendosur me një dakordësi mes dy klubeve që kjo ndeshje të luhet në Shkodër. Dhe ajo e fazës së tretë e parashikuar të luhej në “Loro Boriçi”, të transferohet në një stadium tjetër të vendit tonë.
Kjo duket se ka shtuar akoma më shumë dëshirën dhe entuziasmin në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë. Dhe pavarësisht se në letër Vllaznia është vizitore, nuk do jetë kështu në fushën e lojës. Pasi në shkallët e stadiumit do jenë shkodranët që do jenë në mbështetje të skuadrës së tyre. Kjo për të ndihmuar ekipin e Martinit që të kalojë momentin e vështirë në kampionat.
E po ashtu humori në këtë fillim jave ka qenë në doza të larta pozitiviteti në rradhët e shkodranëve. Të cilët duhet të tregojnë edhe njëherë cilësitë e tyre në këtë edicion dhe të rikthehen në krye të tabelës së klasifikimit.
Me skuadrën që sërish do vuajë mungesat e disa lojtarëve, ku emra si Kallaku , Dros dhe Mala janë në dyshim serioz për të qenë pjesë e sfidës me Vorën. Megjithatë pavarësisht këtij fakti nuk ka justifikime për skuadrën shkodrane, që do kërkojë vetëm fitoren e sidomos tani që ndeshja luhet në shtëpi, në stadiumi “Loro Boriçi”.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”















