Liverpuli do të përbal let me një mungesë të madhe për disa ndeshje në Premier Ligë. Ata do të jenë pa yllin e tyre, Mohamed Salah, i cili do të luajë me Kombëtaren e Egjiptit në Kupën e Kombeve të Afrikës. Këtë e konfirmoi edhe trajneri holandez, Arne Slot i cili njoftoi se Salah do t’i bashkohet kampit të Egjiptit, më 15 dhjetor.
Ndërkohë që duhet thënë se egjipitani me atë që ka treguar në ndeshjet e fundit me “Reds”, ka pasur një rënie forme, që ka shkuar paralelisht edhe me periudhën e dobët të rezultateve të ekipit. Kujtojmë që Kupa e Kombeve të Afrikës do të mbahet këtë vit në Marok dhe do të nisë zyrtarisht më 21 dhjetor, për të përfunduar më 18 janar të vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, blerjet e shtrenjta të verës, Isak dhe Virc, ende nuk janë në gjendje të luajnë tre ndeshje të plota brenda një periudhe të shkurtër kohore, siç ka pranuar trajneri Arne Slot. Isak luajti 68 minuta në fitoren 2-0 të Liverpulit ndaj Uest Hem të dielën, para se të zëvendësohej nga Hugo Ekitike, ndërsa Wirtz luajti 75 minuta përpara se t’i linte vendin Xhonsit. Isak dhe Virc, të blerë për 125 milionë sterlina nga Njukasëll dhe 100 milionë stërlina nga Leverkusen, kanë hasur vështirësi për t’u përshtatur me ritmin e Premier Ligës këtë sezon dhe janë përdorur me kursim nga Slot.
Para një serie të ngjeshur ndeshjesh në prag të periudhës festive, e cila nis me vizitën e Sanderlendit në formë të shkëlqyer të mërkurën në Anfield, e ndjekur nga udhëtimi i së shtunës në Leeds, Slot pranoi se të dy lojtarët, si edhe mbrojtësi Gomez, ende nuk janë aq të gatshëm fizikisht për të luajtur ndeshje të plota radhazi, fundjavë dhe mesjavë.
“Mendoj se ata nuk janë në gjendje të luajnë tre herë nga 90 minuta brenda një jave, kjo është e sigurt,” tha Slot. “Do të shoh si ndihen sot dhe nëse janë gati të nisin përsëri. Të tre mund të luajnë në të tre ndeshjet, për sa kohë nuk pësojnë ndonjë dëmtim”. Gjithashtu, për Virc ai shtoi: “Florian ka humbur një ose dy javë stërvitje, kështu që për të që tashmë po luan kaq shumë minuta është një gjë shumë e mirë.
Ishte inkurajuese ta shihje Florianin të luante aq mirë — nuk është hera e parë që luan mirë për ne. Edhe Isak po ashtu. Ai më tha dje se ndjeu një farë ngërçi që po i afrohej, kështu që do të shohim si do të jetë përpara ndeshjes me Sanderlendin”, përfundoi holandezi Slot.















