Shumica e “armëve” të Egnatias duken në rregull për duelin me Vllazninë, por ekziston një element që nuk flet në favor të rrogozhinasve, dueli i pankinave.
Bëhet fjalë për një statistikë që vazhdon të qëndrojë si një pengesë psikologjike për trajnerin Edlir Tetova. Edhe pse Tetova, me Egnatian e tij, ka arritur t’i mposhtë praktikisht të gjithë trajnerët e Superiores, përjashtim bën vetëm Edi Martini. Në dhjetë duele direkte mes tyre, Tetova nuk ka arritur asnjë fitore. Pesë prej këtyre ndeshjeve janë mbyllur në barazim, ndërsa pesë të tjera janë fituar nga Martini.
Vlen të theksohet se tetë nga këto përballje janë zhvilluar në kohën kur Edi Martini ishte në krye të pankinës së Teutës, periudhë në të cilën Egnatia nuk arriti dot të merrte fitoren përballë tij. Dy duelet e tjera i përkasin pikërisht këtij sezoni, ku Martini, tashmë në krye të Vllaznisë, ka regjistruar një fitore dhe një barazim ndaj rrogozhinasve.
Me pak fjalë, kjo ndeshje për Tetovën nuk është vetëm një sfidë e rëndësishme për renditjen, por edhe një duel personal me Martinin, trajnerin e vetëm të Superiores që i ka “rezistuar” deri tani. Një triumf në Shkodër do të kishte vlerë të dyfishtë, do të forconte pozitat e Egnatias në krye dhe do të shërbente si mbyllje e një kapitulli të hapur prej kohësh për pankinën bardhejeshile.


