Merkatoja e dimrit ka bërë që edhe tek futbolli i femrave të ketë lëvizje dhe një e tillë ka ndodhur edhe tek Vllaznia. Pjesë e saj prej pak ditësh është bërë edhe lojtarja e talentuar Aldisa Kronaj.
Kjo e fundit në sezonin e kaluar ka luajtur për ekipin e Laçit, ndërsa në gjysmën e parë të këtij sezoni ka qenë pjesë e ekipit Atletik Klub. Por ambiciet e saj për t’u rritur edhe më shumë nga ana profesionale, ia kanë bërë ndoshta të detyrueshme transferimin tek një ekip me shumë emër e histori si Vllaznia.
Lojtarja e talentuar 15 vjeçare ditët e fundit është vënë në dispozicion të trajnerëve Nikolin Leka dhe Paula Jaku dhe po bëhet gati për të debutuar me fanellën kuqeblu. Ironia e fatit ka bërë që ndoshta debutimi i saj me këtë fanellë të jetë ndoshta ditën e shtunë pikërisht përballë ekipit Atletik në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.
Megjithatë Aldisa do të ketë shumë punë përpara sepse e presin sfida shumë herë më të vështira dhe padiskutim që ajo do të ketë mundësinë t’i tregojë vlerat e saj. Tek Vllaznia ka një mundësi të artë për të shkëlqyer dhe ajo tashmë e ka të qartë një gjë të tillë.
Ajo është një lojtare e rëndësishme e kombëtares U17 të Shqipërisë dhe i ka të gjitha premisat për t’u bërë shpejt edhe pjesë e kombëtares A, por fillimisht duhet t’i tregojë vlerat e saj tek ekipi i Vllaznisë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


