I ndodhur në Shkodër për pushimet dimërore, ku prej disa vitesh tashmë jeton në Kanada, për “Panorama Sport” ka folur së fundmi në një intervistë ekskluzive, Elvin Beqiri.
Ish-kapiteni i Vllaznisë ka analizuar ndeshjen e fundit të kuqebluve kundër Dinamos, e po ashtu sezonin e shkodranëve deri më tani në Superiore. Sipas ish-mbrojtësit janë shumë vite që Shkodra nuk po gëzon një titull kampion dhe diçka e tillë është e paprecedentë.
Ish-futbollisti edhe i kombëtares shqiptare ka shpresën se ky mund të jetë sezoni i kuqebluve, ku ka besim tek dyshja Martini-Sinani. Pavarësisht se ai shikon garë të “egër” deri në fund duke qenë se e shikon rivalitetin mes ekipeve shumë të barabartë e po ashtu në fund shprehet se për të Vllaznia është shumëçka dhe gjithmonë do e mirëpriste një thirrje nga ana e klubit shkodran.
Beqiri, disa ditë pushimi në Shkodër, por çdo herë me mendjen tek futbolli apo jo?
Atë punë dimë të bëjmë (qesh), përtej shakasë meqë kisha disa vite pa ardhur në Shkodër, përveç familjarëve dhe miqve që takova, nuk humba rastin as të ndjek edhe Vllazninë. Po ashtu unë vijoj të jem gjithmonë pranë futbollit, ku në Kanada që në momentin që jam zhvendosur atje kam qenë pjesë e akademive të ndryshme të futbollit. Edhe sot që flasim jam trajner tek një akademi futbolli në Toronto ku unë jetoj me familjen time. Futbolli ende ndoshta nuk është një sport primar në Kanada, por në vitet e fundit ka pasur investime me miliona dollarë për këtë sport e frytet e para po merren. Ku Kanadaja madje mori pjesë edhe në Botërorin e vitit 2022 e ndërsa do jetë një nga shtetet organizatore edhe për Botërorin e kësaj vere të vitit 2026 së bashku me SHBA-të dhe Meksikën.
Sa janë shanset reale të Vllaznisë për titullin që mungon prej 25 vitesh?
Shanset janë reale do të thosha, Vllaznia e ka “brumin” e lojtarëve për t’i shkuar deri në fund kampionatit me sukses. Po ashtu dyshja Martini-Sinani besoj i japin një karikim tjetër skuadrës në opinionin tim personal. 25 vite pa titull janë realisht shumë për Shkodrën dhe ekipin, diçka e paprecedentë në të shkuarën. Ku në dekadat e fundit i është afruar 2-3 herë triumfit final, por pa ia dalë në fund. Shpresoj që ky të jetë edicioni i duhur që ky “mallkim” të thyhet e titulli kampion të rikthehet në Shkodër, tek ky popull që “jeton” me Vllazninë e futbollin.


