Ish- trajneri i Partizanit Xhovani Kolela ka dhënë së fundi një intervistë në lidhje me kampionatin shqiptar. Njeriu që i shpalli kampion të kuqtë në sezonin 2022-2023, duke folur për “Panorama Sport” ka vlerësuar Vllazninë si skuadrën më të kompletuar të kampionatit. Sipas Kolelës, menaxhimi është ngërçi më i madh te Partizani teksa nga kjo problematikë shpëtoi vetëm presidentin Gazmend Demi për të cilin tha se është presidenti më i mirë që ka pasur në karrierë.
“Skuadra më e kompletuar sipas meje nga të gjithë pikëpamjet është Vllaznia. Është një skuadër që ka lojtarë ekspertë dhe shumë të zotët, ka të rinj të shkëlqyer, ka një akademi me të rinj shumë të talentuar dhe mua më duket skuadra më e kompletuar.
Egnatia gjithashtu është një skuadër që po bën gjëra të mëdha sepse ia dalin të marrin rezultate të shkëlqyera edhe duke shitur lojtarët me kualitet që kanë në skuadër. Ia dalin të mbajnë një nivel shumë të kënaqshëm duke ndihmuar edhe financat e klubit. Por, ndoshta Vllaznia është skuadra më e fortë.
Nuk e di nëse është gati për të fituar, por është një skuadër që më pëlqen me elementët që ka. Por, edhe Dinamo është gjithashtu një pretendente, një skuadër shumë kompakte. Po vuan pak dëmtimet e shumta nga shtatori e në vijim, por është një skuadër shumë e mirë. Mendoj gjithashtu që Dinamo funksionon dhe punon shumë mirë si klub.


