Kursi i drejtorëve teknikë të Akademive pas 7 muajsh kohëzgjatje, është konkretizuar sot me dhënien e diplomave për pjesmarrësit. Njëri prej tyre që ka marrë diplomën e drejtorit teknik të Akademisë pas kualifikimit profesional të bërë, ka qenë edhe shkodrani Fatmir Marku.
Ky i fundit prej disa vitesh punon si trajner moshash tek “Djelmnia Shkodrane”, por njëkohësisht ka bërë edhe detyrën e drejtorit teknik të kësaj Akademie, ndërkohë që tashmë edhe është diplomuarr për një pozicion të tillë pas kursit të kryer.
Ky i fundit ka nisur më 2 qershor të vitit të kaluar dhe ka zgjatur deri në fundin e dhjetorit, teksa pjesmarrësit në të kanë patur mundësi të dëgjojnë leksione nga emra të njohur të trajnimit europian, e po ashtu edhe të marrin eksperiencë nga drejtues të Akademive të njohura, kryesisht italiane.
Fatmir Marku është një nga emrat i cili vitet e fundit ka qenë protagonist me punën e tij tek futbolli i moshave në Shkodër teksa ka stërvitur shumë sportistë që kanë filluar të bëjnë emër jo vetëm në futbollin shqiptar si Gabriel Kulla i cili po shkëlqen aktualisht tek Akademia e Sassuolos në Itali, por edhe me kombëtaren U19 të Shqipërisë.
Tashmë me diplomimin si drejtor teknik i Akademisë padyshim që do të ketë më shumë përgjegjësi për të rritur nivelin e punës tek Akademia ku ai drejton dhe jo vetëm.
Në këtë kurs të fundit, përpos Fatmir Markut është diplomuar me të njëjtën licensë edhe Rudi Piraniqi i cili prej vitesh punon po ashtu me pasion tek KF Shkodra.





