Vllaznia e volejbollit të meshkujve është rikthyer tek fitorja në ndeshjet e Ligës “Gjergj Kastrioti”. Pasditen e sotme ajo ka mundur me rezultatin 3-1 ekipin Skënderbeu të Kosovës, në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit.
Takimi ka nisur më mirë për ekipin kosovar i cili e ka fituar setin e parë në shifrat 27-25. Vllaznia “zgjohet” dhe reagon menjëherë duke e fituar setin e dytë 25-22 dhe në këtë mënyrë ka barazuar numrin e seteve në 1-1.
Loja e mirë e volejbollistëve shkodranë vazhdon dhe ndonëse hasin në rezistencë në setin e tretë, ia dalin ta fitojnë 25-23 ndërkohë që në të katërtin ka pak histori sepse ai fitohet 25-17 nga Vllaznia e cila në këtë mënyrë triumfon me rezultatin e përgjithshëm 3-1 në këtë takim.
Me fitoren e sotme, skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja është ngjitur në kuotën e 8 pikëve pas 4 ndeshjesh të luajtura dhe për momentin kryeson renditjen e grupit, por Partizani me 7 pikë ka një ndeshje më pak të luajtur. Nesër në orën 14:00 Vllaznia do të luajë sërish në Tiranë ndeshjen e rradhës, këtë herë përballë ekipit të Ferizajt dhe një fitore edhe ndaj tij do ta kualifikonte për në gjysmëfinalen e Ligës “Gjergj Kastrioti”.


