Shkruar nga Gjergj KOLA
Mbrojtësi shkodran Elton Fikaj sapo ka hedhur firmë në kontratën e tij të re. 20 vjeçari i lindur në Greqi është transferuar nga Panathinaikos në kampionatin polak, aty ku do të vazhdojë karrierën e tij të mëtejshme.
Gjatë ditës së sotme mediat greke publikuan lajmin se do të ishte klubi Gornik Zabrze që do ta merrte Fikajn, por në fakt është një klub tjetër me të cilin sapo ka firmosur mbrojtësi i kombëtares U21 të Shqipërisë.
Bëhet fjalë për Piast Gliwice, i cili merr pjesë në Superligën polake dhe aktualisht renditet në vendin e 15-të, por me një ndeshje më pak të luajtur. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se Fikaj ka firmosur për 2 vite e gjysëm me këtë skuadër.
Panathinaikos ndërkohë ka mbajtur 20 % të kartonit të tij dhe njëkohësisht sipas kushteve të kontratës do të ketë të drejtën e blerjes nga polakët në të ardhmen. E rëndësishme është që për mbrojtësin e majtë tashmë nis një epokë e re ku ai padyshim që do të tentojë të bëjë sa më mirë për të treguar vlerat e tij.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


