Mungesa e stadiumit është kthyer në një gangrenë për dashamirësit e futbollit kavajas. Kjo situatë ka bërë që qytetarët e Kavajës ta humbasin kontaktin e drejtpërdrejtë me ekipin e tyre në ndeshjet e kampionatit, pasi skuadra është detyruar të endet “si çifuti në shkretëtirë”, duke i pritur kundërshtarët në fusha me qira.
Në maj të vitit 2025 u duk se u ndez drita jeshile dhe se kalvari i pritjes do të merrte fund. U premtua që Besa do të kthehej në Kavajë, në një shtëpi të re dhe moderne. Me pompozitet të madh u prezantua projekti i ri i stadiumit, si bashkëfinancim i Bashkisë Kavajë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Madje, bashkë me maketin dhe detajet teknike, u shpall edhe firma fituese. Gjatë prezantimit u deklarua se brenda dy vitesh Besa do të kishte stadiumin e saj modern. Por, ndërsa po bëhen gati 10 muaj nga ai prezantim, në terren nuk ka asnjë lëvizje dhe askush nuk punon në të ashtuquajturin kantier, i cili vazhdon të qëndrojë i rrethuar vetëm me llamarina.
Prej gati tetë vitesh ka nisur “migrimi” i skuadrës së Besës, ndërsa që nga viti 2023 sportdashësit kavajas nuk kanë parë asnjë ndeshje kampionati në shtëpi. Zvarritja e zbatimit të projektit ka amplifikuar zërat dyshues në qytet. Shumë tifozë e quajnë këtë një tjetër premtim bosh, madje disa e konsiderojnë si mashtrimin e radhës ndaj komunitetit futbollistik kavajas. Ironikisht, 100-vjetori i themelimit të klubit e gjeti Besën në një nga momentet më të errëta infrastrukturore. Në rrjetet sociale shtrohet shpesh e njëjta pyetje nga tifozët: A do të vazhdojë kjo pritje pa fund, ndërsa skuadra endet si “kollovar” në stadiumet e të tjerëve?
Çfarë u premtua në maj 2025
Në fillim të majit 2025 u njoftua zyrtarisht se ishte përzgjedhur projekti fitues për stadiumin e ri të Kavajës. Në një takim në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të FSHF-së, Bashkisë Kavajë, arkitektëve shqiptarë e të huaj, si dhe studios “Focus Architecture”, u prezantua projekti fitues. Juria, e përbërë nga arkitektë ndërkombëtarë dhe vendas, zgjodhi projekt-idenë e studios “Focus Architecture”, fituese e tenderit të zhvilluar nga FSHF në bashkëpunim me Bashkinë Kavajë.
Projekti parashikon:
-Stadium modern i kategorisë 4 sipas standardeve të UEFA-s;
-Kapacitet rreth 8 000 vende;
-Impiant i përshtatshëm për ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare;
-Hapësira multifunksionale për qytetin;
Zëvendëspresidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, deklaroi në atë kohë:
“Ky projekt që u miratua korrespondon edhe me 100-vjetorin e themelimit të klubit Besa. Shpresojmë që të avancojmë sa më shpejt dhe brenda 2 viteve qyteti i Kavajës të ketë një stadium dhe një pol të ri zhvillimi”. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, premtoi publikisht se stadiumi do të transformonte zonën dhe do t’i rikthente dinjitetin klubit. “Sot stadiumi i Besës është premtim i mbajtur! Tani dëgjoni premtimin e radhës: Besa do të shkojë në majat më të larta të futbollit shqiptar… dhe më besoni, ne premtimet, pavarësisht pengesave, i mbajmë!”
Realiteti sot
Mes premtimeve dhe realitetit ekziston një hendek i madh. Kantieri mbetet i heshtur, ndërsa tifozët presin. Koha kalon, por stadiumi i ri i Besës vazhdon të jetë vetëm në letër. Dhe pyetja që vazhdon të jehojë në Kavajë mbetet e njëjtë: Kur do të fillojnë realisht punimet dhe kur do të kthehet Besa në shtëpi?
12 sezone ka Besa larg elitës së futbollit shqiptar, konkretisht që prej edicionit 2013-2014. Edhe këtë vit kavajasit e nisën me pretendime të mëdha, ekipi ka përfunduar për mbijetesë dhe ndryshime të shpeshta në pankinë.


