Pas disa minutash do të hidhet në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit shorti i turit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, tur në të cilin marrin pjesë ekipet e Vllaznisë, Egnatias, Dinamos dhe Elbasanit.
Gazeta “Shkodra Sport” ka hapur mbrëmjen e djeshme një sondazh për tifozët e Vllaznisë, duke i pyetur ata se cilin kundërshtar do të preferonin në gjysmëfinale. Më së shumti, ose thënë ndryshe, 38 % e atyre që kanë marrë pjesë në këtë sondazh, kanë preferuar Dinamon si kundërshtar të kuqebluve.
Aty afër ka qenë edhe Egnatia si preferencë dhe atë e kanë zgjedhur 34 % e votuesve, ndërsa Elbasanin e kanë zgjedhur vetëm 28 % e votuesve.
Kjo do të thotë se shkodranët mesa duket preferojnë Dinamon si kundërshtar ngaqë ajo nuk po kalon momete të mira në kampionat, ose Egnatian, ndoshta “për të marrë hak”. Kurse Elbasanin mesa duket e duan vetëm për finalen. Gjithsesi do jetë shorti i orës 15:00 që do të përcaktojë gjithçka në këtë drejtim sa i takon dy çifteve gjysmëfinaliste të Kupës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



