Shkruar nga Endri ÇINARI
Kryesimi i kampionatit pas 27 javësh është një sinjal i qartë i forcës së Vllaznisë këtë sezon, por shifrat tregojnë një kontrast të dukshëm mes paraqitjeve në shtëpi dhe atyre në transfertë. Pas tre fazash kampionat, shkodranët kanë grumbulluar 51 pikë, një bilanc që i mban në krye të renditjes dhe i jep skuadrës kuqeblu një avantazh të rëndësishëm në garën për titull. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij suksesi është ndërtuar në Shkodër, aty ku Vllaznia ka shfaqur një dominim pothuajse absolut.
Në stadiumin “Loro Boriçi”, kuqeblutë kanë qenë thuajse perfekte. Nga 14 ndeshje të zhvilluara në shtëpi, Vllaznia ka grumbulluar plot 37 pikë, duke lënë rrugës vetëm 5 të tilla.
Një barazim 1-1 ndaj Bylisit dhe një humbje minimale 0-1 ndaj Teutës janë dy ndalesat e vetme përpara tifozëve të tyre, ndërsa pjesa tjetër e ndeshjeve është mbyllur me fitore. Në total, skuadra shkodrane ka regjistruar 12 triumfe në fushën e saj, duke konfirmuar se “Loro Boriçi” është kthyer në një fortesë të vërtetë për rivalët.
Edhe statistikat e golave përforcojnë këtë dominim. Në ndeshjet si pritëse, Vllaznia ka shënuar 25 gola dhe ka pësuar vetëm 8, një raport që tregon jo vetëm efikasitet në sulm, por edhe një qëndrueshmëri të admirueshme në repartin mbrojtës. Kjo formë e fortë në shtëpi ka qenë shtylla kryesore që ka mbajtur skuadrën në krye të klasifikimit gjatë gjithë rrugëtimit të saj në tre fazat e para të kampionatit.
Krejt ndryshe paraqitet tabloja në transfertë. Në 13 ndeshje të luajtura larg Shkodrës, Vllaznia ka arritur të marrë vetëm 14 pikë, një bilanc dukshëm më modest në krahasim me atë të ndeshjeve në shtëpi. Në këto përballje, kuqeblutë kanë shënuar vetëm 11 gola dhe kanë pësuar 13, statistika që tregojnë se skuadra ka hasur më shumë vështirësi për të imponuar lojën e saj larg “Loro Boriçit”.
Në duelet jashtë fushe, nëntë herë kampionët e vendit kanë regjistruar vetëm tre fitore: 0-1 ndaj Bylisit, 0-1 kundër Teutës dhe 0-2 përballë Dinamos. Këto suksese kanë qenë vendimtare për të mbajtur kreun, por diferenca mes rezultateve në shtëpi dhe atyre në transfertë mbetet e dukshme. Nëse Vllaznia arrin të përmirësojë këtë aspekt në fazën vendimtare të sezonit, atëherë kuqeblutë mund të hedhin një hap edhe më të sigurt drejt objektivit madhor.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


