Vllaznia e futbollit të femrave vijon të fitojë në kampionat dhe të kryesojë e vetme renditjen. Paraditen e sotme ajo ka fituar me rezultatin e thellë 14-0 ndaj ekipit të Kinostudios, në ndeshjen e luajtur në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz.
Takimi nuk ka patur shumë histori sepse në fushën e lojës vajzat kuqeblu kanë bërë çfarë kanë dashur. Ka qenë futbollistja Montengro që ka zhbllokuar e para rezultatin me golin e shënuar në minutën e 12-të dhe më pas kanë ardhur edhe të tjerët. Në pjesën e parë, e mbyllur në shifrat 6-0 kanë shënuar edhe Teresa Deda 2 gola, Megi Doçi po ashtu 2 gola dhe një tjetër me autore futbollisten Klaudia Borci.
Në të dytën epërsia ka ardhur duke u rritur gjithnjë e më shumë dhe janë shënua edhe 8 gola të tjerë. Autore të tyre janë Deda sërish me dy gola të tjerë (në total katër në këtë ndeshje), Megi Doçi edhe tre të tjerë (në total 5 gola) si dhe Montengro, Bajraktari e Berisha nga një gol.
Përfundimisht 14-0 për Vllazninë e cila me fitoren e sotme ngjitet në kuotën e 33 pikëve pas 11 fitoreve të arritura në po kaq ndeshje të luajtura, e ndjekur nga Gramshi dhe Apolonia me nga 25 pikë secila.(www.shkodrasport.com)


