Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të javës së 30-të të Superiores, përballja mes Partizani dhe Vllaznia vjen me dy skuadra në forma të ndryshme, ku kryeqytetasit shfaqen dukshëm më të konsoliduar në rezultatet e javëve të fundit.
Të kuqtë e kryeqytetit po kalojnë një moment shumë pozitiv, duke qenë skuadra më në formë e kampionatit në pesë ndeshjet e fundit. Me 11 pikë të grumbulluara, Partizani ka ndërtuar një ecuri solide që e mban në garë për objektivat sezonalë. Fitoret ndaj Flamurtarit (1-2), Egnatias (2-0) dhe Dinamos (0-2), të kombinuara me dy barazime spektakolare 2-2 ndaj Teutës dhe Vorës, tregojnë për një ekip që tashmë ka gjetur një lloj vazhdimësie.
Ajo që bie në sy në këtë seri rezultatesh është stabiliteti në repartin ofensiv, por edhe aftësia për të reaguar në momente të vështira. Partizani ka shfaqur karakter dhe vazhdimësi, dy elementë kyç në këtë fazë vendimtare të sezonit, duke krijuar një profil skuadre pretendente dhe të rrezikshme për çdo kundërshtar.
Në anën tjetër, Vllaznia nuk po kalon momentin e saj më të mirë. Shkodranët kanë grumbulluar vetëm 5 pikë në pesë javët e fundit, një ecuri që nuk i përgjigjet pritshmërive për një ekip me traditë dhe ambicie. Humbja 2-1 ndaj Bylis dhe disfata minimale 1-0 kundër Flamurtari kanë lënë gjurmë, ndërsa barazimet pa gola ndaj Egnatia dhe Dinamo tregojnë për vështirësi në finalizim.
Gjatë kësaj periudhe shkodranët kanë vetëm një sukses, fitoren 3-1 ndaj Tiranës. Kjo ndeshje ndaj Partizanit shihet si një mundësi ideale për të bërë kthesën dhe për të rigjetur identitetin e munguar në javët e fundit.
Dueli mes këtyre dy skuadrave pritet të jetë i luftuar dhe me ritëm të lartë, ku forma aktuale favorizon Partizanin, por objektivat dhe qëllimet e Vllaznisë premtojnë një përballje të hapur. Në këtë pikë të sezonit, çdo pikë ka peshë të madhe dhe java e 30-të mund të rezultojë vendimtare për rrugëtimin e të dy ekipeve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


