Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Flavio Fusha po vazhdon të konfirmojë potencialin e tij edhe me fanellën e Besëlidhjes në Lezhë, duke lënë menjëherë gjurmë në repartin ofensiv. Sulmuesi i ri ishte protagonist në fitoren 3-0 ndaj KF Shiroka, ku vulosi rezultatin me golin e tretë në minutën e 86-të, vetëm pak minuta pasi ishte aktivizuar nga stoli.
Një realizim që vlen më shumë sesa statistika, teksa Fusha tregoi instinkt tipik sulmuesi, duke qenë në vendin e duhur dhe duke shfrytëzuar maksimalisht hapësirën në zonë, për të mbyllur një ndeshje të dominuar nga lezhjanët. Ky nuk është rasti i vetëm.
Edhe një javë më parë, në suksesin e thellë 9-1 ndaj Adriatikut, ai kishte gjetur rrugën e rrjetës, duke kontribuar në një nga fitoret më të thella të sezonit. I ardhur nga akademia e Vllaznisë, Fusha po shfrytëzon minutat e tij në Kategorinë e Dytë për të treguar se është një “9-sh” me nuhatje për golin.
Shtatlartësia, prezenca fizike dhe aftësia për të finalizuar e bëjnë një profil interesant për të ardhmen. Goli i fundit i Flavios Fushës është një sinjal i qartë. Shkodra po prodhon një tjetër sulmues që mund të bëjë diferencën.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


