Lajme të mira për klubin e futbollit të Burrelit. Sezonin e ardhshëm ai mund të bëhet me një president të ri dhe si rrjedhojë, kjo do të ndryshonte edhe objektivat e tij, për të synuar më në fund ngjitjen në Superiore. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur sekretari i klubit Marjan Lleshaj, i cili është shprehur:
“Burreli duhet të jetë më lart në klasifikim, pse jo edhe në Superiore. Shpresojmë që sezoni i ardhshëm të na gjejë me një president të ri, pasi ka emra që e duan sportin dhe kanë shprehur dëshirën për të ndërtuar një Burrel më të madh.
Po flitet për një projekt serioz rindërtimi, si te grupmoshat ashtu edhe te ekipi i parë, me synimin për të luftuar për Superiore. Sporti kërkon financa dhe projekte dhe shpresoj që këto të mos mungojnë në vazhdim.
Tani për tani jemi të fokusuar vetëm te mbyllja e këtij sezoni. Më pas do të shohim për projektet e reja dhe për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm”.


