Tirana ka fituar derbin përballë Partizanit, në kuadër të javës së 33-të të “Abissnet Superiore”. Supersfida e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi me shifrat 2-1.
Të kuqtë ishin ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Human që në minutën e 23-të, duke mbyllur në avantazh minimal pjesën e parë.
Mirëpo, me nisjen e pjesës së dytë Tirana tregoi një tjetër fytyrë, duke goditur disa herë portën e Pano Qirkos. Në minutën e 66-të u “thye” dhe ky i fundit, pasi Kresic barazoi shifrat me anë të një goditje me kokë.
Në minutën e 83-të pati polemika, pasi lojtari i Tiranës preku me dorë topin brenda zonës, por për gjyqtarin Florjan Lata gjithçka ishte e rregullt. Ndërkohë që në minutën e 85-të Freddy Alvarez përmbysi shifrat, duke shënuar një eurogol nga distanca.
Kështu, Tirana ngjitet në vendin e 7-të me 35 pikë, duke u qetësuar disi. Në krahun tjetër me 45 pikë, Partizani mbetet në vendin e 5-të, jashtë Final Four dhe në pritje të ndeshjes së Dinamos.


