Pas superndeshjes PSG- Bayern Munich 5-4 ka reaguar edhe fitues i “Topit të Artë” në fuqi Ousmane Dembele i cili e pranoi se ndeshja e kthimit do të jetë një “ferr” i vërtetë për francezët në Munich.
“Ishte një paraqitje mbresëlënëse nga të dyja skuadrat. Dy skuadra me mentalitet sulmues që duan të fitojnë, në shtëpi apo jashtë. Ishte një ndeshje shumë e mirë dhe padyshim jemi të lumtur që e fituam. Kishte disa faktorë ky sukses. Njëri prej tyre? Ishim të vendosur ta fitonim këtë ndeshje, sepse kishim humbur në fazën e ligës.
Pastaj ishte çështje për të ruajtur përqendrimin dhe luajtur me zgjuarsi. Në ndeshje të tilla, detajet e vogla janë vendimtare. Ndoshta mund ta kishim kontrolluar më mirë ndeshjen në rezultatin 5-2, por e dimë që Bayerni është një skuadër e madhe dhe e aftë të rikthehet në lojë.
Nuk do ta ndryshojmë filozofinë tonë as në ndeshjen e kthimit. Duhet gjithashtu të dish të vuash në një gjysmëfinale të Champions League dhe kjo është pikërisht ajo për të cilën do të përgatitemi në ndeshjen e kthimit”- është shprehur Dembele./telesport/


