Shkruar nga Endri ÇINARI
Në këto javë vendimtare të kampionatit, Vllaznia ndodhet përballë një misioni të qartë dhe pa alternativa: të fitojë gjithçka. Shkodranët hyjnë në tre javët e fundit me detyrimin për të marrë vetëm pikët e plota, nëse duan të mbeten realisht në garë për titullin kampion. Çdo hap fals në këtë fazë do të ishte fatal për ambiciet kuqeblu, që tashmë janë në ndjekje të kryesuesve të Elbasanit.
Diferenca me verdheblutë mbetet një element kyç në këtë sprint final, ndaj objektivi i skuadrës shkodrane është ta mbajë atë sa më të vogël, ose në skenarin më optimist, t’a përmbysë përpara ndeshjeve të shumëpritura të “final four”. Presioni është i madh, por njëkohësisht edhe motivimi, pasi çdo ndeshje tashmë merr peshën e një finaleje për Vllazninë.
Skuadra e drejtuar nga Edi Martini do të përballet me një kalendar jo të lehtë, përkundrazi, mjaft “të sikletshëm”. Ironikisht, përballë do të ketë ekipe që luftojnë për mbijetesë, të cilat në këtë fazë të sezonit bëhen edhe më të rrezikshme, pasi luajnë me “thikën mes dhëmbëve” për çdo pikë që mund t’i mbajë në elitë.
Gjithçka nis këtë fundjavë ndaj Bylis, një kundërshtar që ka treguar se di të hapë probleme, sidomos kur luan për mbijetesë. Më pas, rruga vijon me përballjen ndaj Tiranës, një emër i madh i futbollit shqiptar, përpara se kampionati të mbyllet me sfidën kundër Flamurtari. Tre ndeshje, tre beteja të vërteta, ku gabimet nuk lejohen.
Për Vllazninë, mesazhi është i qartë: nuk mjafton të luash mirë, duhet të fitosh me çdo kusht. Në një kampionat ku diferencat janë të vogla dhe rivaliteti i lartë, kuqeblutë duhet të tregojnë karakter, pjekuri dhe mbi të gjitha vazhdimësi rezultatesh. Nëse arrijnë të dalin me maksimumin e pikëve nga ky kalendar i vështirë, atëherë ëndrra për titull jo vetëm që mbetet gjallë, por mund të kthehet në një realitet të prekshëm për tifozët shkodranë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


