Klubi i Futbollit Vllaznia përmes presidentit Alban Xhaferi me anë të një deklarate zyrtare të saposhpërndarë, ka siguruar të gjithë opinionin sportiv, mediat dhe aktorët e futbollit në lidhje me zhurmën e krijuar pas ndeshjeve të fundit. Klubi shkodran ka siguruar që Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cenon ndershmërinë e garës. Ja deklarata e plotë e shpërndarë:
DEKLARATË ZYRTARE
Gjatë ditëve të fundit janë përhapur në disa media dhe rrjete sociale aludime dhe komente lidhur me integritetin e ndeshjeve në këtë fazë të kampionatit.
KF Vllaznia, përmes Presidentit Alban Xhaferi, ndjen detyrimin të sqarojë publikisht dhe me përgjegjësi:
Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cenon ndershmërinë e garës.
Ky klub përfaqëson një qytet me histori, traditë dhe dinjitet, dhe çdo arritje e jona ka ardhur dhe do të vijë vetëm përmes punës, përkushtimit dhe meritës në fushën e lojës.
Ne e kuptojmë ndjeshmërinë e opinionit publik në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit, si dhe pritshmëritë e larta, por njëkohësisht besojmë se hedhja e dyshimeve pa prova dëmton jo vetëm klubet, por gjithë futbollin shqiptar dhe besimin e tifozëve.
Ftojmë të gjithë aktorët – mediat, opinionin sportiv dhe institucionet – të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në komunikim.
Çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte dhe të trajtohet në rrugët zyrtare.
Vllaznia do të vazhdojë rrugën e saj me seriozitet, duke folur në fushë dhe duke respektuar lojën e ndershme.


