U rikthye nga Amerika me shumë ëndrra dhe projekte për të vënë në zbatim përvojën dhe eksperiencën e fituar në vite në kontinentin e largët. Besnik Lisha e nisi nga Shkodra duke dashur që ta zbatojë këtë projekt në qytetin e lindjes, tek Vllaznia skuadra e zemrës dhe ndonëse shpesh bëri edhe rolin e sponsorit, nuk e lanë ta çonte deri në fund punën e nisur.
Më pas u spostua në Korçë ku vendosi të ngrinte në nivele të larta Skënderbeun dhe e bëri një gjë të tillë, ndonëse edhe aty u largua përpara kohe dhe frutet e suksesit i korrën të tjerët.
I gjendur në këto kushte u ndal tek Pogradeci i Lasgushit dhe u tha drejtuesve të Bashkisë së këtij qyteti se mund ta bënte të njohur atë edhe për volejbollin. Në fillim drejtuesit u habitën nga ky premtim, por vendosën t’i besojë dhe Besnik Lisha nuk i zhgënjeu.
Pasditen e sotme, Pogradeci mund 3-0 në finalen e pestë Tiranën dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-2 të tyre, u kurorëzua kampion i Shqipërisë në volejboll për femra i sezonit 2025-2026. Titull ky i pari në historinë e kësaj skuadre. Në fakt është përmbyllja e një sezoni fantastik sepse ky ekip këtë sezon ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë dhe po ashtu edhe Ligën “Gjergj Kastrioti”.
Dhe arkitekti i këtyre tre sukseseve është pikërisht një shkodran: BESNIK LISHA. Jo më kot, drejtuesit e Bashkisë Pogradec duke mbetur të mahnitur nga puna e tij, pak ditë më parë nxituan të rinovojnë kontratën me të edhe për sezonin e ri, ndonëse ende nuk e dinin nëse do të shpalleshin kampionë apo jo, por kishin mbetur të mahnitur nga puna e bërë dhe profesionalizmi i tij.
Mënyra si u ndërtuar Pogradeci dhe projekti që nisi aty, është shembulli më i mirë se kur të gjithë aktorët janë në unison, padyshim që edhe suksesi do të vijë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse nga Shkodra ku ekipi i volejbollit të Vllaznisë shpëtoi me ndeshje play-out-i pa rënë nga kategoria, t’i themi: URIME BESNIK LISHA!



