Shkruar nga Endri ÇINARI
Të dielën, Vllaznia do të zbresë në fushë për të zhvilluar ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt 2025-26 të Kategorisë Superiore përballë Flamurtarit. Një sfidë që vjen në një moment delikat për kuqeblutë, të cilët synojnë ta mbyllin kampionatin me një rezultat pozitiv përpara përballjeve vendimtare të “Final 4”. Përtej rëndësisë së pikëve, statistikat e viteve të fundit tregojnë se skuadra shkodrane ka ditur shpesh të bëjë një mbyllje të mirë të sezonit të rregullt.
Në pesë sezonet e fundit, bilanci i Vllaznisë në javën përmbyllëse të kampionatit ka qenë përgjithësisht pozitiv. Në sezonin 2020-21, shkodranët triumfuan 2-0 ndaj Laçi në “Loro Boriçi”, por që ishte e pamjaftueshme për fitimin e titullit kampion. Një vit më pas, në sezonin 2021-22, kuqeblutë fituan 3-1 në transfertë ndaj Kastrioti, në një ndeshje që rezultoi vendimtare për fatet sezonale.
Edhe sezoni 2022-23 u mbyll me buzëqeshje për Vllazninë. Shkodranët arritën të marrin një fitore të rëndësishme 1-2,në transfertë ndaj Bylis, duke konfirmuar traditën e rezultateve pozitive në fundin e kampionatit. Megjithatë, jo çdo fund sezoni ka qenë i lumtur për kuqeblutë. Në edicionin 2023-24, Vllaznia pësoi një humbje të rëndë 1-5 në shtëpi ndaj Skënderbeu, në një nga ndeshjet më zhgënjyese të viteve të fundit për skuadrën shkodrane.
Ndërkohë, sezoni i kaluar 2024-25 u mbyll me një barazim 1-1 ndaj Laçit, rezultat që la shije të përzier te tifozët kuqeblu. Megjithatë, në total, Vllaznia ka treguar se zakonisht di të reagojë mirë në javën e fundit të kampionatit, duke e përdorur atë si një trampolinë morale për sfidat që pasojnë.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse skuadra shkodrane do të arrijë ta mbyllë edhe këtë sezon me fitore ndaj Flamurtarit. Një sukses në javën e fundit do të kishte vlerë të dyfishtë: jo vetëm për statistikat, por edhe si një bonus moral e psikologjik përpara dueleve të rëndësishme të “Final 4”, aty ku do të vendoset gjithçka për objektivat madhorë të sezonit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


