Sukseset e atletikës shkodrane vazhdojnë dhe ekipi i Vllaznisë vijon të rregjistrojë rekorde të reja. Ditën e sotme është kurorëzuar kampion edhe ekipi Vllaznia U20 dhe ky është titulli i 18-të rradhazi për të. Një shifër që konfirmon dominimin aktual, por është një siguri edhe për të ardhmen.
Ekipi shkodran i drejtuar nga kryetrajneri Albert Marashi dhe trajnerët Bruno Rrotani, Dorjan Tafa dhe Jetmir Jahaj ka dominuar në garat e zhvilluara ditën e sotme në Elbasan duke zënë vendin e parë në renditjen ekipore dhe duke i sfiduar të gjithë ekipet e tjera.
Në këto gara ka spikatur mbi të gjithë atleti Sidrit Kopliku i cili është shpallur kampion në dy gara, në 400 m/p ku arriti një kohë shumë të mirë 56″18 dhe po ashtu edhe në 800 metra me kohën 1’59″5.
Atleti tjetër Dejan Balla ka zënë vendin e parë në 400 metra me kohën 51″4, një rezultat ky shumë i mirë dhe po ashtu është renditur i dyti në 200 metra me kohën 23″66.
Ndërkohë atleti Renis Jasini është renditur i dyti në garën e 100 metrave me kohën 11″70. Atletët e Vllaznisë kanë dominuar edhe në garat e kërcimeve. Në kërcim së gjati ka qenë Mario Cepi që është shpallur kampion, ndërsa Elizeo Spathari është renditur i dyti, kurse në trehapësh kishte një rrokadë, me Spatharin që u shpall kampion dhe Cepi i dyti.
Vllaznia ka dominuar edhe në dy stafetat ku është shpallur kampione, konkretisht në atë 4×100 metra me katërshen Dejan Balla, Idlir Hoxha, Mario Cepi, Damian Pohja dhe në 4×400 metra me katërshen Sidrit Kopliku, Mario Cepi, Idlir Hoxha, Dejan Balla.
Ekipi shkodran ka arritur të grumbullojë 106 pikë, më shumë se të gjithë ekipet e tjera dhe si rrjedhojë me meritë është kurorëzuar kampion edhe për vitin 2026.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


