Shkruar nga Gjergj KOLA
Një lajm fantastik mbërrin nga Italia. Shkodrani Gabriel Kulla që luan me ekipin e Sassuolos në Itali, është shpallur sulmuesi më i mirë i kampionatit Primavera (U20) për sezonin 2025–2026. Po ashtu ai është zgjedhur edhe si pjesë e formacionit më të mirë të kampionatit për sezonin që sapo u mbyll.
Një vlerësim i tillë ka ardhur nga Sport Italia TV, kanali televiziv që i dedikohet plotësisht futbollit italian të çdo grupmoshe. Dhe si rrjedhojë në mes të laureurve në ceremoninë e zhvilluar në Romë, ka qenë edhe një shqiptar, pikërisht Gabrie Kulla.
Formacioni i më të mirë të kampionatit të Seria A Primavera për sezonin 2025-2026:
Top 11, 4-3-3: Anelli (Atalanta) 2008; Drobnic (Parma) 2007, Carrascosa (Torino) 2008, Terlizzi (Roma) 2007, Marello (Inter) 2008; Leone (Juventus) 2007, Montenegro (Fiorentina) 2007, Pandolfi (Milan) 2008; Kulla (Sassuolo) 2008, Galvagno 2007 (Cesena), Lo Monaco 2008 (Bologna). Trajner: Galloppa (Fiorentina).
Ndonëse Kulla ka debutuar për herë të parë në këtë kampionat në sezonin që sapo u mbyll, ai i ka treguar vlerat e tij më të mira dhe si rrjedhojë ka arritur të shënojë plot 16 gola dhe të japë 8 asiste. Me 24 Gola/ Asiste ai ka qenë përcaktues për ekipin e tij Sassuolo, por njëkohësisht ka fituar edhe vëmendjen e shumë specialistëve dhe trajnerëve të futbollit italian.
Renditja në mes më të mirëve të kampionatit padiskutim që është një “piacë” e mirë përr 18 vjeçarin e lindur në Shkodër dhe që është pjesë e rëndësishme e kombëtares U19 të Shqipërisë.


