Ditët e fundit po flitet si opsion emërimi i Ilir Dajës sërish në pankinën e Skënderbeut, skuadër me të cilën arriti shumë suksese disa vite më parë. Por gjithë kësaj zhurme i ka dhënë përgjigje presidenti i Dinamos Adrian Bardhi i cili në një prononcim për mediat është shprehur:
“Kam dëgjuar që duan Ilirin, trajnerin Daja. Pse jo. Treg i lirë jemi. Dinamo në çdo moment do të marrë në konsideratë absolute çdo propozim që vjen nga çdo klub, duke nisur nga 1 milion euro, asnjë cent më pak, për dhënien e kartonit të tij. Nëse do të ketë një propozim të tillë, me shumë kënaqësi Dinamo do ta marrë në konsideratë.
Në të kundërt, më vjen keq por do të vazhdojnë ta shijojnë timonierin blu nga TV, ose nga stadiumi. Dinamo kërkon mbylljen e Final 4 me 9 pikë në tre ndeshje.
Dhe akoma më tej të konfirmojmë të njëjtën paraqitje në Europë si një vit më parë, për të tentuar grupet. Dhe me disa lëvizje në ekip jam shpresëplotë që Dinamo do të udhëheqë imazhin e futbollit shqiptar në botë”, shprehet presidenti Bardhi.


