Sot më shumë se kurrë, sporti është bërë një nevojë e madhe për shoqërinë. Ai nuk është vetëm garë, fitore apo trofe. Sporti është disiplinë, edukatë, respekt, sakrificë dhe forcë karakteri.
Është vendi ku një fëmijë mëson të rrëzohet dhe të ngrihet përsëri më i fortë. Është vendi ku të rinjtë largohen nga rrugët e këqija dhe afrohen drejt ëndrrave të mëdha.
Por lind pyetja: A po i japim sportit rëndësinë që meriton? Fatkeqësisht, jo gjithmonë.
Sot ka shumë talente që humbin rrugës jo sepse nuk kanë aftësi, por sepse mungon mbështetja, infrastruktura dhe vlerësimi. Ka fusha sportive që presin zërin e fëmijëve, por mbeten bosh.
Ka trajnerë që japin shpirtin për të rinjtë, por shpesh nuk marrin respektin që meritojnë. Ka prindër që duan më të mirën për fëmijët e tyre, por përballen me mungesë kushtesh dhe mundësish.
Një tjetër problem i madh është se shumë të rinj sot po largohen nga aktiviteti fizik dhe po afrohen gjithnjë e më shumë me telefonin, rrjetet sociale dhe jetën pasive. Dhe kjo nuk dëmton vetëm trupin,por edhe mendjen dhe shpirtin.
Po cila është zgjidhja?
Zgjidhja fillon duke investuar më shumë tek rinia dhe sporti, duke krijuar ambiente sportive më të mira dhe duke mbështetur trajnerët, që punojnë me pasion e ndershmëri. Duke motivuar fëmijët të besojnë tek vetja dhe tek ëndrrat e tyre. Duke kuptuar se një orë sport sot, është një jetë më e shëndetshme nesër, sepse sporti bashkon njerëzit.
Sporti largon stresin, krijon miqësi dhe mëson respektin për njëri-tjetrin. Ai nuk pyet për pasuri apo varfëri.Në fushë të gjithë janë të barabartë. Një fëmijë që merret me sport mëson të luftojë për objektivat e tij.
Një i ri që stërvitet çdo ditë mëson se çfarë do të thotë sakrificë. Një ekip sportiv mëson forcën e unitetit dhe besimit tek njëri-tjetri. Dhe në fund, fituesi më i madh nuk është gjithmonë ai që merr kupën, por ai që nuk dorëzohet kurrë.
Respekt për çdo sportist, trajner, prind dhe njeri që kontribuon për sportin, sepse duke investuar tek sporti, ne investojmë tek një shoqëri më e shëndetshme, më e fortë dhe më e bukur për të ardhmen.
*Ish-sportist dhe trajner


