Nga Maringlen ZHIVANI
Pas një sezoni që premtoi shumë, por u mbyll pa trofe, Vllaznia mbetet një nga temat më të diskutuara në futbollin shqiptar. Kuqeblutë kryesuan për një kohë të gjatë kampionatin, por rënia në momentin vendimtar në “Final Four”, la një shije zhgënjyese. Analizat për atë që nuk funksionoi janë të shumta, ndërsa pritshmëritë për sezonin e ri mbeten të larta.
Në këtë kontekst, ish-futbollisti dhe trajneri i njohur Luan Zmijani ka analizuar ecurinë e Vllaznisë, duke u ndalur te problemet kryesore të skuadrës dhe duke dhënë këndvështrimin e tij për situatën aktuale se çfarë duhet bërë në të ardhmen. Në një intervistë me gazetarin Maringlen Zhivani, Zmijani tha se sezoni duhet lënë pas sa më shpejt dhe theksoi se skuadra ka potencial të madh nga sa tregoi në fund.
-Zmijani, si e vlerësoni sezonin që sapo u mbyll për Vllazninë?
Në fakt, duke parë ecurinë e skuadrës ku pothuajse gjatë gjithë sezonit, kryesoi kampionatin dhe në finish nuk dha asgjë. Mbetem të zhgënjyer, pasi nuk u arritën objektivat që kishin. Unë mendoj që është një sezon për t’u harruar sa më shpejt.
-Çfarë mendoni se mungoi që ekipi të luftonte me fort për titullin?
Mungesë e rëndësishme ishte dëmtimi i Kastratit dhe oshilacionet në formën sportive të disa futbollistëve kryesorë.
-Zmijani, a mendoni se vendi në renditje, ku u mbyll edhe kampionati, paqyroi realisht potencialin e skuadrës?
Unë mendoj se skuadra ka më tepër potencial, por tre humbjet rradhazi tregojnë të kundërtën.
-Si e shihni mënyrën si po menaxhohet klubi?
Ky sezon iku pa asnjë trofe dhe kjo dhemb shumë. Megjithatë, unë po shoh që po rinovohet me futbollistët kryesorë dhe me stafin. Kjo është diçka pozitive nga ana e menaxhimit të klubit. Megjithatë, duhen përforcime me futbollistë cilësorë.
-Zmijani, sipas jush, a ka Vllaznia një strategji të qartë në merkato apo po veprohet rast pas rasti me futbollistët që dalin të lirë?
Unë besoj që ka një strategji, por është tepër e vështirë, sepse edhe në merkato është luftë e fortë sportive, duke pasur parasysh që edhe ekipet e tjera duan që të forcohen.
-Në cilat reparte mendoni se ekipi ka më shumë nevojë për përforcime?
Unë mendoj se në të tre repartet. Në mbrojtje, në mesfushë dhe në sulm. Në tre ndeshjet e “Final Four” treguam se kemi probleme si në fazën defensive, poashtu edhe atë ofensive.
-A ndikon presioni i tifozërisë në performancën e skuadrës, pasi flitet shumë për presionin në Shkodër?
Po, patjetër që ndikon. Edhe futbollistët, pavarësisht se janë profesionistë, presioni bën që rendimenti të mos jetë ai i duhuri, por edhe tifozëria nuk ka faj, pasi do që skuadra e zemrës të fitojë.
-Sa e rëndësishme është mbështetja e tyre në këtë fazë?
Është shumë e rëndësishme mbështetja dhe përkrahja e tyre, jo vetëm në këtë fazë dështimit të objektivave, por gjithmonë.
-Zmijani, ku e shihni Vllazninë në sezonin e ardhshëm?
Pyetje shumë e vështirë, pasi s’mund të jap një përgjigje të saktë kaq shpejt. Duhet parë kë afrojnë dhe sa cilësore do të jenë afrimet, por rinovimi i futbollistëve kryesorë tregon që e kanë seriozisht për të bërë një skuadër për trofe.
-Zmijani, e fundit për ta mbyllur, cili është mesazhi juaj për drejtuesit dhe tifozët e klubit?
Për drejtuesit kam këtë, duhet të bëjnë një ekip për titull dhe të mos gabojnë si këtë herë. Tifozët më të mirë në botë i ka Vllaznia, pasi e mbështesin skuadrën e zemrës edhe kur ajo nuk ua shpërblen atyre. Megjithatë, besoj se do të vazhdojnë ta mbështesin edhe më fort, sepse me të vërtetë tani ka nevojë më shumë.


