Elseid Hysaj nuk ka mundur t’i gëzohet siç do të donte 100 ndeshjeve me Kombëtaren, por pa përsëri kuqezinjtë të shënonte humbje edhe ndaj Luksemburgut.
“Do doja ta festoja ndryshe, kështu ndodhi. Më vjen keq, jam pak i lumtur e pak i trishtuar e duhej të fitonim. Më vjen keq edhe që stadiumi ishte si bosh. Por duhet të shohim para se në jetën time kam menduar gjithmonë që të shohim para, se do rregullojmë ata që kemi gabuar.
Kanë qenë ndeshje më të vështira se këto tani, mund të ndikojë edhe puna që disa lojtarë vijnë nga një kampionat i gjatë, disa e kanë mendjen në pushime, është i vështirë fundi. Por duhet të jemi profesionistë, e dimë që luajmë për kombin dhe kur vijmë këtu të japim 100%.
Kur ka një ndërrim trajneri pas një kompeticioni të madh, siç treguam që jemi në nivel të lartë, duke arritur në play-off, edhe unë i kam thënë çunave që është moment i vështirë. Nuk e dinim nëse do rrinte trajneri apo jo, ishte konfuzion. U thashë që të jemi gati të ecim para, se do të jetë e vështirë pastaj se nëse të merr teposhtë pastaj është e vështirë të kthehesh. U kam folur çunave, e kemi parë që ka gjëra që nuk funksionojë, shpresoj që do kuptojmë atë që do trajneri, kishim pak kohë brenda pak ditëve. Nuk kishte kohë, ishim në fund, duhej të vinim të japim maksimumin.
Nga fusha ata kishin analizuar mirë ndeshjen, se kishin gjetur pikat e dobëta. Ndoshta në presing gabuam dalje nga ana jonë. Ato një rast bënë, ne kishim 2-3 raste për të shnëuar, nuk i shënuam si me Izraelin. Por të gjithë e dimë që futbolli është i vështirë. Po nuk dhamë 110% çdokush mund të na mposhtë e të na bëjë dëm. Të gjithë e dimë këtë gjë.
Unë e di që nuk shënojmë, shpresoj që sulmuesit të arrijnë të zhbllokohen, e ndjejnë edhe ata ndjesinë e golit. Shpresoj të zhbllokojmë sa më shpejt këtë gjendje, trajneri më kërkon para, unë jam çfarë të mundem”, tha Hysaj për “SuperSport”.


