Tuesday, June 9, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORESeancat e para stërvitore, te Vllaznia në fokus të rinjtë

Seancat e para stërvitore, te Vllaznia në fokus të rinjtë

Shkruar nga Endri Çinari

Vllaznia ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin 2026/27, me kuqeblutë që janë rikthyer në fushë pas një periudhe pushimi të shkurtër. Duke qenë se skuadra shkodrane do të ketë përpara edhe sfidat e tureve kualifikuese të Conference League, stafi teknik i drejtuar nga Edi Martini ka nisur herët punën për ndërtimin e grupit që do të përfaqësojë ekipin në sezonin e ri.

Megjithatë, seancat e para stërvitore nuk e kanë gjetur ende Vllazninë me grupin e plotë në dispozicion. Largimet e disa futbollistëve pas përfundimit të sezonit të kaluar kanë bërë që organika aktuale të jetë e reduktuar, ndërsa drejtuesit vijojnë punën në merkato për të plotësuar boshllëqet e krijuara në repartet e ndryshme të skuadrës.

Pikërisht për këtë arsye, në stërvitjet e ditëve të fundit janë bashkuar me ekipin e parë edhe disa futbollistë të spikatur nga Vllaznia B. Të rinjtë kanë marrë mundësinë të punojnë nën urdhrat e trajnerit Martini, duke plotësuar numrat e nevojshëm për zhvillimin normal të procesit stërvitor. Njëkohësisht, kjo është edhe një mundësi e mirë për ta që të tregojnë vlerat e tyre në një ambient më konkurrues.

Në kampin kuqeblu nuk përjashtohet mundësia që ndonjë prej këtyre elementëve të rinj të arrijë të bindë stafin teknik gjatë javëve në vazhdim. Vllaznia ka treguar edhe në të kaluarën se u ka dhënë hapësira futbollistëve të dalë nga akademia dhe paraqitjet në këtë fazë përgatitore mund të jenë vendimtare për të fituar një vend në skuadrën e parë gjatë sezonit të ardhshëm.

Gjithsesi, puna te shkodranët sapo ka nisur. Janë zhvilluar vetëm seancat e para stërvitore dhe ka ende shumë për t’u bërë përpara se Vllaznia të marrë formën e saj përfundimtare. Me merkaton ende të hapur dhe me nevojën për afrime në disa pozicione, drejtuesit dhe stafi teknik kanë përpara një periudhë intensive për të ndërtuar një ekip sa më konkurrues, i aftë të përballojë objektivat në kampionat dhe në arenën europiane.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments