Thursday, June 11, 2026
FAQJA E PARE ATLETIKEFANTASTIKE/ Vllaznia e atletikës shkruan historinë, shpallet kampione për të 30-tën herë!...

FANTASTIKE/ Vllaznia e atletikës shkruan historinë, shpallet kampione për të 30-tën herë! Më shumë se askush tjetër

Shkruar nga Gjergj KOLA

Premtimi atletëve dhe trajnerëve të atletikës së Vllaznisë është mbajtur. Ekipi i meshkujve të klubit kuqeblu sot ka fituar titullin e 30-të në historinë e tij, duke shkruar kësisoj historinë e këtij sporti dhe duke kaluar ekipin e Partizanit që e mbante rekordin me 29 tituj të fituar.

Një sukses i jashtëzakonshëm që vjen pas një punë të gjatë dhe sistematike të të gjithë sportistëve, por padyshim që një meritë shumë të madhe kanë trajnerët e këtij ekipi, duke filluar nga kryetrajneri Albert Marashi dhe për të vijuar me Bruno Rrotanin, Dorjan Tafën dhe Jetmir Jahjen.

Në garat e ditës së sotme të zhvilluara po ashtu në Elbasan, nuk kanë munguar sukseset e atletëve të Vllaznisë. Kështu në 200 metra i zakonshmi Franko Burraj është shpallur kampion me kohën 21″13 duke qenë shumë pranë vendosjes së një rekordi të ri në këtë garë. Po ashtu, Leandro Çardaku është renditur i treti në këtë disiplinë.

Në 400 m/p është sërish Durjan Idrizaj që triumfon duke u shpallur kampion kësisoj në dy disiplina, këtë herë me kohën 56″78. Kampion është shpallur sërish sot edhe atleti i ri Sidrit Kopliku që pas suksesit në 800 metra u shpall kampion edhe në 1500 metra.

Në garën e kërcimit trehapësh Kolindo Kiri është shpallur kampion, ndërsa në vend të dytë dhe të tretë janë renditur dy atletët e tjerë të Vllaznisë, Mario Cepi dhe Elizeo Spathari. Në trehapësh për femra, Erisa Rrasa është renditur në vendin e dytë. Ndërsa në garën e 10 mijë metrave, Imer Kajoshaj është renditur i treti.

Në përfundim të garave të dy ditëve, Vllaznia ka arritur të grumbullojë 167 pikë duke u shpallur kampione edhe për vitin 2026, duke lënë shumë prapa me pikë Skënderbeun në vendin e dytë dhe Teutën në vendin e tretë.

30 tituj kampionë të fituar, kjo është historia! Dhe atë e shkruan as më pak dhe as më shumë, por një ekip si VLLAZNIA që dominon prej te dekadash në këtë sport dhe me siguri që supermacia e saj do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, për të vendosur shifra e rekorde të reja.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments