Friday, June 12, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVetëm një afrim, te Vllaznia ka një 'boshllëk' për t’u plotësuar

Vetëm një afrim, te Vllaznia ka një ‘boshllëk’ për t’u plotësuar

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po përgatitet për sezonin e ri 2026-2027, por aktualisht një nga sfidat më të mëdha të kuqebluve mbetet plotësimi i boshllëqeve të krijuara nga largimet e shumta. Në krahasim me edicionin e kaluar, skuadra shkodrane ka humbur një numër të konsiderueshëm futbollistësh, duke e bërë të domosdoshme një ndërhyrje të shpejtë dhe efikase në merkato.

Zyrtarisht, te Vllaznia kanë përfunduar huazimet e Bismark, Gjinit dhe Dodajt, me tre lojtarët që janë rikthyer në klubet ku kishin kartonin. Ndërkohë, largimin nga kuqeblutë e kanë konfirmuar edhe Jago, Hakaj , Kuros, Bajrami dhe Sala, futbollistë që ishin pjesë e organikës së sezonit të fundit dhe që në periudha të ndryshme dhanë kontributin e tyre në skuadër.

Megjithatë, lista e largimeve nuk pritet të mbyllet këtu. Edhe Esat Mala dhe Ardit Krymi duken gjithnjë e më larg rinovimit të kontratave me Vllazninë. Deri tani nuk ka sinjale konkrete për një marrëveshje mes palëve dhe gjithçka të çon drejt një ndarjeje përfundimtare. Nëse edhe këta tre futbollistë largohen, atëherë numri i lojtarëve që kanë lënë ose pritet të lënë skuadrën shkon në dhjetë.

Një bilanc i tillë krijon pa diskutim një vakum të madh në përbërjen e ekipit. Bëhet fjalë për lojtarë që mbulonin reparte të ndryshme të fushës dhe që i garantonin trajnerit alternativa të rëndësishme gjatë sezonit. Për pasojë, drejtuesit sportivë janë të detyruar të punojnë me ritme të larta për të sjellë elementë të rinj që jo vetëm të plotësojnë numrat, por edhe të ruajnë nivelin konkurrues të skuadrës.

Deri në këto momente, Vllaznia ka zyrtarizuar vetëm një afrim, atë të Patrik Bardhit. Një lëvizje e vlerësuar pozitivisht, por që padyshim nuk mjafton për të mbushur “gropën” e krijuar nga largimet e shumta. Me kampionatin që afrohet dhe me fazën përgatitore që ka nisur, pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për merkaton kuqeblu, pasi shkodranët kanë nevojë për disa afrime cilësore nëse duan të mbeten pretendentë në sezonin e ri. 

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments