Kombëtarja e femrave ka marrë 7 pikë në kualifikueset e Botërorit 2027 dhe si rrjedhojë është tashmë në play-off, ende me shpresa për një kualifikim në këtë event shumë të rëndësishëm. Dhe nga këto 7 pikë të grumbulluara, 6 prej tyre duket se kanë firmën e Megi Doçit, e cila shënoi të dy golat në Podgoricë në ndeshjen e parë ndaj Malit të Zi dhe po ashtu edhe dy të tjerë në fitoren 5-2 të Shkodrës po ndaj këtij ekipi.
Vetë ajo përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur e lumtur për këtë arritje, por nuk ka mundur të qëndrojë pa “thumbuar” sërish. Pikërisht në adresë të atyre që kanë diçka në dorë duke pritur më shumë vëmendje për arritjet sesa premtimet boshe apo postimet formale. Ja postimi i plotë i kapitenes së kombëtares kuqezi:
“E lumtur për fitoren dhe pafundësisht krenare për këtë grup vajzash, që edhe një herë tregoi karakter, sakrificë, zemër dhe shpirt luftarak në fushë. E mbyllim këtë fazë me 7 pikë, sigurojmë qëndrimin në Ligën B dhe vazhdojmë të ëndërrojmë, sepse besojmë se mund të arrijmë edhe më lart.
Por, përtej rezultatit, mbetet një zhgënjim që nuk mund ta fshehim. Kur humbasim, kritikat vijnë menjëherë. Kur fitojmë dhe nderojmë flamurin kuqezi, vlerësimi zgjat vetëm pak çaste, pastaj gjithçka harrohet.
Futbolli i femrave nuk kërkon mëshirë. Kërkon respekt. Kërkon mbështetje. Kërkon vlerësimin që e ka fituar me djersë, sakrificë dhe punë të palodhur. Pas çdo ndeshjeje fshihen vite përkushtimi, sakrifica personale dhe dashuri e pakushtëzuar për fanellën e Shqipërisë.
Ndoshta një ditë do të flitet më shumë për atë që arrijmë në fushë sesa për premtime boshe apo postime formale. Ndoshta një ditë sukseset tona nuk do të kalojnë në heshtje.
Deri atëherë, ne nuk do të ndalemi. Do të vazhdojmë të luftojmë për Shqipërinë me të njëjtën zemër, edhe kur mbështetja mungon, edhe kur vlerësimi nuk është në lartësinë e sakrificës sonë.
Sepse ne nuk luajmë për duartrokitje. Luajmë për flamurin, për krenarinë e këtij vendi dhe për çdo vajzë që ëndërron të veshë një ditë fanellën kuqezi. Në fund, fjalët harrohen. Ajo që mbetet janë paraqitjet, rezultatet dhe zemra që lëmë në fushë. Dhe ne do të vazhdojmë të flasim pikërisht kështu.


