Shkruar nga Endri ÇINARI
Ashtu siç kishte paralajmëruar “Shkodra Sport” pak ditë më parë, Geralb Smajli tashmë ka zyrtarizuar largimin nga Ballkani, duke i dhënë fund aventurës së tij dyvjeçare me skuadrën nga Suhareka. Mbrojtësi shkodran mbyll kështu një eksperiencë të rëndësishme në futbollin kosovar, ku ishte pjesë e një prej ekipeve më të suksesshme të viteve të fundit.
Por ndërsa ndarja me Ballkanin është tashmë një fakt i kryer, “Shkodra Sport” mëson ekskluzivisht edhe destinacionin e ri të 24-vjeçarit. E ardhmja e Smajlit do të jetë sërish në Superiore, me mbrojtësin që ka arritur marrëveshjen për të vazhduar karrierën te Egnatia. Kampionët e Shqipërisë kanë lëvizur shpejt në merkato dhe kanë siguruar shërbimet e një futbollisti që vlerësohet për cilësitë e tij dhe eksperiencën e fituar vitet e fundit.
Drejtuesit e klubit rrogozhinas e kanë konsideruar Smajlin si një përforcim me vlerë për repartin difensiv, veçanërisht në prag të një sezoni ku objektivat janë maksimalë si në kampionat, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Egnatia synon të ruajë dominimin në futbollin shqiptar dhe njëkohësisht të bëjë paraqitje sa më dinjitoze në kompeticionet europiane.
Për vetë lojtarin, ky rikthim në Superiore vjen në një moment të rëndësishëm të karrierës. Në moshën 24-vjeçare, Smajli konsiderohet ende një futbollist me potencial të madh zhvillimi, ndërsa eksperienca e fituar te Ballkani pritet ta ndihmojë të marrë një rol protagonist edhe te kampionët në fuqi.
Mbrojtësi shkodran pritet t’i bashkohet menjëherë përgatitjeve verore të Egnatias, me skuadrën që po bëhet gati për sfidat e raundeve eliminatore të Champions League. Në Rrogozhinë besojnë se afrimi i Smajlit është i duhuri për krahun e djathtë dhe repartin e prapavijës, duke i dhënë trajnerit një alternativë më shumë për objektivat ambiciozë të sezonit të ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


