Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Kevin Dodaj ka mbyllur zyrtarisht aventurën e tij me Vllazninë dhe është rikthyer te klubi bullgar CSKA Sofia, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2028. Sulmuesi ka udhëtuar drejt Sofjes, duke i dhënë fund periudhës së huazimit te skuadra shkodrane.
Gjatë pjesës së dytë të sezonit, nga janari deri në fund të majit, Dodaj dha një kontribut të rëndësishëm për Vllazninë, duke qenë një nga lojtarët që ndikoi në repartin sulmues me paraqitjet e tij pozitive. Pas përfundimit të marrëveshjes së huazimit, 20-vjeçari është rikthyer te klubi që zotëron kartonin e tij dhe tani pritet të mësohet e ardhmja e tij gjatë merkatos së verës.
Dodaj u transferua te CSKA Sofia në verën e vitit 2025, duke firmosur një kontratë afatgjatë deri në qershor të vitit 2028, ndërsa më pas u rikthye në formë huazimi te Vllaznia për të fituar më shumë minuta dhe vazhdimësi në lojë.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e klubit bullgar do ta mbajnë në skuadër për sezonin e ardhshëm apo do të zgjedhin një tjetër huazim, me qëllim që talenti shkodran të vazhdojë zhvillimin e tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


