Shkruar nga Endri ÇINARI
Mesfushori 30-vjeçar rikthehet sërish në Shkodër, në një lëvizje që ka sjellë diskutime të shumta mes tifozëve kuqeblu. Në rrjetet sociale nuk kanë munguar debatet, me një pjesë të mbështetësve që e kanë mirëpritur rikthimin e tij, ndërsa të tjerë kanë shprehur rezerva për këtë transferim. Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i besojnë eksperiencës dhe cilësive të futbollistit, duke e konsideruar atë një element të rëndësishëm për objektivat e sezonit të ri.
Për Markun, kjo do të jetë hera e tretë në karrierë që vesh fanellën e Vllaznisë. Mesfushori ka qenë pjesë e skuadrës shkodrane në sezonet 2019-20 dhe 2020-21, ndërsa më pas u rikthye edhe gjatë sezonit 2022-23. Tashmë, pas një tjetër aventure larg Shkodrës, ai do të provojë sërish të japë kontributin e tij për ekipin kuqeblu.
Në fakt, rikthimi i tij vjen në një moment kur Vllaznia po kërkon të ndërtojë një skuadër sa më konkurruese për sezonin e ardhshëm. Vetë klubi, në prezantimin zyrtar të futbollistit, la të kuptohet qartë se objektivi kryesor mbetet lufta për titullin kampion. Pikërisht për këtë arsye, Marku shihet si një futbollist që mund të sjellë eksperiencë, personalitet dhe ekuilibër në repartin e mesfushës.
Për shtatlartin, ky rikthim mund të konsiderohet edhe një mundësi e artë për të lënë gjurmën që tifozët kanë pritur prej tij. Dy eksperiencat e mëparshme kanë pasur momentet e tyre pozitive, por jo gjithmonë kanë përmbushur pritshmëritë e krijuara. Tashmë, në moshën 30-vjeçare dhe me një bagazh më të madh eksperiencash, ai vjen me synimin për të qenë një nga liderët e skuadrës.
“E treta e vërteta”, është shprehja që shumë tifozë shpresojnë të bëhet realitet për Herald Markun. Mesfushori do të luajë sërish në stadiumin “Loro Boriçi”, aty ku ka përjetuar emocione të veçanta me fanellën kuqeblu. Se sa i suksesshëm do të rezultojë ky rikthim, do ta tregojë fusha, por një gjë është e sigurt: Marku dhe Vllaznia do të provojnë së bashku të realizojnë objektivin madhor, fitimin e titullit kampion.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


