Klubi i Egnatias ka bërë zyrtarizimin e afrimit të radhës gjatë merkatos së verës, duke zgjidhur një nga problemet e mëdha me të cilat u përball në edicionin e fundit.
Rrogozhinasit kanë blinduar krahun e majtë të prapavijës duke afruar brazilianin Andrej Yago, i cili i dha lamtumirën Vllaznisë për t’iu bashkuar kampionëve të Shqipërisë. Ai ka qenë i shoqëruar në këtë prezantim nga menaxheri i tij, shkodrani Alsid Tafili.
“Mirë se erdhe, Andrej Jago! KF Egnatia ka kënaqësinë të njoftojë afrimin e mbrojtësit brazilian Andrej Jago. Me eksperiencën, cilësitë dhe profesionalizmin e tij, ai i bashkohet familjes sonë për sfidat e reja që na presin. I urojmë shumë suksese me fanellën bardhejeshile dhe sa më shumë fitore së bashku!”, shkruhej në njoftimin në rrjetet sociale të Egnatias.
Futbollisti i është bashkuar prej disa ditësh në fazën përgatitore klubit, duke qenë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Nevil Dede në përgatitjet për pjesëmarrjen në Kupat e Europës.


